Ndërlidhjet

Shpresa që po i mban gjallë gratë kurde


Pamje nga një kamp në Turqi, ku po qëndrojnë refugjatë nga Kobani
Pamje nga një kamp në Turqi, ku po qëndrojnë refugjatë nga Kobani

Neriman, një refugjate kurde në Turqi, po e pret burrin e saj i cili është zhdukur pesë muaj më parë në luftë në Siri.

Muhammedi 38 vjeçar është zhdukur në ditët e para të ofenzivës së militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Kobani të Sirisë, vend ky ku po vazhdon lufta.

Disa thonë se ai është zënë dhe burgosur nga militantët e IS, por gruaja e tij Neriman 24 vjeçare, refuzon të humb shpresat, shkruan AFP.

"Kanë kaluar pesë muaj prej se nuk di asgjë për të. Na kanë thënë se është zënë nga IS. Nuk e di nëse është gjallë apo i vdekur”, është shprehur ajo.

Ndërsa shton se e tëra që dëshiron është të dijë nëse është gjallë.

“Nuk i kam humbur shpresat nga Allahu. Zemra më thotë se do të kthehet”, thotë Neriman.

Muhammedi, ashtu si shumë kurdë të tjerë po luftonte kundër militantëve të IS, prej momentit kur xhihadistët filluan që të sulmojnë Kobanin, i cili gjendet në kufi me Turqinë.

Neriman, e cila ka gjetur strehë në Turqi bashkë me 5 fëmijët e saj, kujton traumat e përjetuara në vendin e saj në Kobani, kur militantët e IS kanë filluar që t’i sulmojnë kurdët afër Kobanit.

Ajo thotë se burri i saj, ishte duke luftuar në një fshat me emër Zirava, 30 kilometra në perëndim të Kobanit.

"Një ditë, ai kishte dëgjuar disa zhurma që vinin nga një shtëpi afër tij, dhe ka shkuar që të kontrollojë, por prej nga nuk është kthyer më”, tregon Neriman.

Neriman, është strehuar në një shkollë të rrënuar, në fshatin kufitar turk në Jamurtalik.

Kjo shkollë është bërë shtëpi për dhjetëra sirianë, përfshirë Nerimanin me pesë fëmijët e saj.

Neriman tregon se ajo ka refuzuar të dërgohet në kampin e refugjatëve, për shkak se në Jamurtalik ku po qëndron tani, ajo mund të sheh nga afër luftën në Kobani.

“Do të jem e para që do të kthehem në Kobani, sapo të mbaroj lufta”, thotë Neriman.

XS
SM
MD
LG