Ndërlidhjet

Me uljen e temperaturave, shkelet Ligji për duhanin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për atë, se nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit.

Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Ndryshe nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.

Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar, ku sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, ky ligj me të hyrë në fuqi ishte zbatuar në masë të madhe.

Por, probleme me shkeljen e ligjit po ka atëherë kur temperaturat po fillojnë të zbresin.

Ibrahim Tërshnjaku inspektor sanitar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se inspektimet po vazhdojnë, dhe ta që nuk e respektojnë Ligjin për kontrollin e duhanit, do të gjobiten.

“Pas uljes së temperaturave, inspektorati sanitar ka vazhduar inspektimet dhe kemi filluar t’i identifikojmë shkelësit e ligjit. Jo, nuk janë duke e respektuar të gjithë Ligjin për kontrollin e duhanit. Subjektet afariste tashmë i kanë të vendosura shenjat për ndalimin e duhanit, dhe tashmë është bërë zgjidhja me të cilat në aspektin juridik i kanë plotësuar normat, kurse personat përgjegjës që nuk e respektojnë ligjin do t’u dërgohen fletëparaqitjet në gjykatë”.

“Disa fletëparaqitje kanë filluar të zbatohen për personat përgjegjës dhe po gjobiten personat që nuk e kanë respektuar ligjin për kontrollin e duhanit. Gjithmonë në fillim kur ulen temperaturat shkelet ligji, derisa të fillojnë inspektimet. Por këtu mendoj se është çështja e vetëdijes edhe e asaj se pa inspektim nuk mund të zbatohet ligji”, ka shtuar Tërshnjaku.

Armend Kastati, 25 vjeçar, mendon se të gjitha lokalet afariste duhet respektuar ligjin, përndryshe do të mund të lindin probleme edhe mes pronarëve të lokaleve afariste.

"Mendoj që duhet respektuar ligji gjithsesi . Ata që tymosin duhan, nuk do t'i frekuentojnë lokalet ku nuk pihet duhan dhe nëse ndonjë lokal tjetër lejon, atëherë do të kenë probleme mes vete, vetë pronarët e lokaleve. Andaj, ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe të gjithë duhet respektuar".

Ndërkaq, Mimoza Hysaj, studente e fakultetit të arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë se ligji doemos duhet respektuar.

"Nëse ligji ka hyrë në fuqi, duhet të respektohet. Është për të mirën e gjithëve."

Ndryshe, Ibrahim Tërshnjaku ka shtuar gjithashtu se tashmë nga ana e gjykatës fletëparaqitjet kanë filluar të zbatohen dhe shkelësit do të gjobiten.

“Këtë vit do të kemi më të lehtë zbatimin e ligjit , pasi që të gjitha fletëparaqitjet e dërguara në gjykatë do të zbatohen .Kjo falë memorandumit mes Këshillit gjyqësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të gjitha fletëparaqitjet e shkelësve të ligjit të zbatohen”, thekson Tërshnjaku.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, disa herë kanë theksuar faktin se ligji për kontrollin e duhanit është një ligj shumë i qartë, gjithëpërfshirës e që ka për synim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke shtuar se ai tashmë është miratuar dhe duhet patjetër të respektohet.

XS
SM
MD
LG