Ndërlidhjet

EULEX-i heton pohimet për korrupsion në radhët e tij


Ilustrim

Ilustrim

Bashkimi Evropian ka thënë se është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë, në lidhje me akuzat kundër anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë ka publikuar një sërë shkrimesh që flasin për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive.

Në një komunikatë të zyrës së përfaqësueses së Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri thuhet se “që nga viti 2013, autoritetet gjyqësore të EULEX-it dhe të Kosovës janë duke kryer një hetim të përbashkët në lidhje me këto pohime".

Në komunikatë po ashtu thuhet se, pavarësisht rrjedhës së hetimeve, mosparagjykimi i fajësisë përbën një gur themeli për sistemin e sundimit të ligjit.

Duke theksuar mbështetjen e plotë për shefin e sapoemëruar të EULEX-it dhe ekipin e tij, në komunikatë shprehet besimi se “ata do të vazhdojnë të zbatojnë me sukses mandatin e misionit dhe të ndihmojnë autoritetet e Kosovës në konsolidimin e sundimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të sektorit të ligjit në Kosovë, të lirë nga ndërhyrjet politike”.

XS
SM
MD
LG