Ndërlidhjet

SHBA “nuk ka strategji unike” kundër-narkotike

  • Luke Allnutt - Radio Evropa e Lirë

Një grup monitorues i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin ka tërhequr vërejtjen se ekonomia dobiprurëse e narkotikëve në këtë vend, po i kërcënon përpjekjet për rikonstruktim dhe se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë shqyrtuar këtë çështje në mënyrë përkatëse.

Në raportin katër mujor të Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rikonstruktim të Afganistanit (SIGAR), të publikuar më 30 tetor, thuhet se përpjekjet kundër narkotikëve në “masë të madhe kanë rënë nga agjenda afgane” e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, udhëheqësi i këtij grupi, John Sopko, por tjerash, theksoi:

“Gjëja e parë që duhet ta bëni është ta krijoni strategjinë. Strategji që ka kuptim. Ata nuk kanë strategji të unike. Mendoj se ju, po ashtu, duhet tu afroheni afganëve dhe ta bëni të qartë se ata janë pjesë e kësaj strategjie”, tha John Sopko.

Ai e ka kritikuar Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtare dhe të Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, që është njësi kundër narkotike e Departamentit të shtetit.

“Nuk ka asgjë që ata më kanë thënë mua ose stafit tim, që do të indikonte se ekzistojnë ide se si të përmirësohet situata”, tha John Sopko.

Sipas tij, Uashingtoni i ka “tretur” më se 7 miliardë dollarë në luftën kundër narkotikëve, gjatë 13 viteve të kaluara.

“Ne i kemi tretur më se 7 miliardë dollarë në kundër narkotikë. A e ka prekur kjo ndokënd në Departamentin e shtetit, në Departamentin e mbrojtjes ose USAID, nga fakti se ata kanë dështuar gjatë 13 viteve të fundit të bëjnë diçka në kundër narkotikë? Jo”, tha John Sopko.

Në raport është shpjeguar se afro 3 miliardë dollarë janë shpenzuar në përpjekje të zbatimit të ligjit për kundër narkotikë, megjithëqë raportet e Agjencisë së inteligjencës së mbrojtjes kanë sugjeruar se konfiskimi është vetëm 12.7 milionë dollarë të heroinës në vit.

Në raport është theksuar se kjo veprimtari në Afganistan i mundëson më se 411 mijë vende pune, më tepër se që kanë Forcat e Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, dhe është prodhimi më i vlefshëm i këtij vendi.

“Problemi i narkotikëve nuk do të largohet. Korrupsioni nuk do të largohet. Nëse ne nuk e shqyrtojmë, nëse ne nuk ballafaqohemi me fakt, atëherë kjo do të mbizotëroj në këtë vend të vogël e të varfër”, tha John Sopko.

Ai i përmend pasojat që mund t’i ketë Afganisani.

“Nëse narko-mafia e fillon udhëheqjen e fshatrave, ata nuk do të kujdesen për të drejtat e femrave, të fëmijëve, ata nuk do të kujdesen për demokraci, ata nuk do të kujdesen për ushqimin dhe ndihmën për të varfrit, ata do të kujdesen vetëm për bërjen e profitit”, tha John Sopko në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se problemi i korrupsionit është serioz në Afganistan dhe ka kërkuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe e Afganistanit që ta shqyrtojnë këtë çështje. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG