Ndërlidhjet

logo-print

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Gabriele Meucci, ka konfirmuar se që nga viti 2013 janë duke u zhvilluar hetime në lidhje me dyshime për korrupsion përbrenda këtij misioni.

Gjatë një konference për gazetar, Meucci ka thënë se nuk mund të zbulojë detaje të hetimeve në lidhje me rastin i cili është në hetim e sipër, por ka konfirmuar se ai dhe misioni që drejton janë të informuar mirë për rastin që ka raportuar ditëve të fundit edhe gazeta "Koha Ditore".

"Po zhvillohet hetim i detajuar në harmoni me atë që është në qendër të vëmendjes së EULEX-it, që nënkupton angazhimin e plotë në luftën kundër korrupsionit dhe jo ligjshmërisë", ka thënë Meucci.

Ndërsa nuk ka folur me emra, shefi i EULEX-it ka thënë se ndaj këtij zyrtari të dyshuar të EULEX-it, Bashkimi Evropian ka pranuar që të shqiptohet masa e marrjes së pjesshme të imunitetit në mënyrë që hetimet të zhvillohen tutje.

"Heqja e pjesshme e imunitetit është një hap teknik në procesin gjyqësor i cili nuk paragjykon vendimin përfundimtar", ka thënë shefi i EULEX-it.

Madje, sipas tij, këto procedura kanë filluar muaj më herët, para se të raportohej në media.

Rreth rastit që po hetohet nën dyshime për korrupsion në EULEX, gazeta Koha Ditore kishte raportuar se dy zyrtarë të EULEX-it kishin pranuar mito për fshehur tri raste të kriminale.

Në këto afera, përmenden se janë përfshi edhe emra të zyrtarëve të Kosovës.

Para se shkrimet në këtë gazetë të botoheshin, EULEX-i, kishte suspenduar prokuroren Maria Bamieh, nga e cila ishte thënë se kishin rrjedhur këto informata.

Ndaj kësaj të fundit, Bashkimi Evropian kishte shqiptuar masën e suspendimit, duke konsideruar se kishte nxjerrë në media informacione për një rast që po hetohej.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociançiq, ka konfirmuar hetimet përbrenda EULEX-it dhe suspendimin e prokurores, por nuk ka pranuar të flas për faktin se si këta zyrtarë, edhe pse nën hetime që nga viti 2013, kanë vazhduar të punojnë në misionin në Kosovë.

"Atje ka ndodhur suspendimi i një personi, por unë nuk janë në pozitë që të flas për individë, për emra dhe persona që janë pjesë e hetimeve. Ky është një rast nën hetim dhe nuk mund të flasim për të më shumë", ka deklaruar Kociançiq.

Përndryshe, Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, sipas shefit të EULEX-it, Gabriele Meucci po punon sipas ligjit dhe ka prioritet luftimin e korrupsionit.

Sipas tij, rastet e hetimeve të brendshme dyshimet për korrupsion, nuk duhet të luhasin besimin e qytetarëve në këtë mision, pasi që me vet faktin se po luftohen këto raste, por tregohet serioziteti dhe profesionalizimi në punën e misionit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG