Ndërlidhjet

Jahjaga nuk shkon në Beograd për shkak të krizës


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjara, pas një analize të hollësishme të ftesës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral për pjesëmarrje në konferencën që organizohet në Beograd, më 1 nëntor, ka marrë vendim që të mos marrë pjesë në konferencë, për shkak të gjendjes së krijuar në vend, me pamundësinë e ndërtimit të institucioneve të reja.

Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentes.

"Qëndrueshmëria e shtetit dhe domosdoshmëria për të ndihmuar procesin e ndërtimit të institucioneve në vend kanë përcaktuar edhe vendimin e presidentes Jahjaga, karshi edhe analizës së agjendës së përcaktuar të konferencës, nivelit të pjesëmarrësve dhe aspekteve protokollare dhe organizative", thuhet në komunikatë.

Presidentja Jahjaga e ka falënderuar organizatorin e konferencës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral për ftesën për pjesëmarrje në njërin nga panelet e kësaj konference dhe vlerëson hapin e ndërmarrë si një përpjekje drejt krijimit të një klime të mirëbesimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka theksuar po ashtu se pavarësisht nga pamundësia e pjesëmarrjes në konferencë, relaksimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor hap perspektivën evropiane për të gjithë dhe ndihmon në krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha vendeve.

XS
SM
MD
LG