Ndërlidhjet

logo-print

Ndërkohë që çmimet e produkteve ushqimore në vazhdimësi shënojnë rritje, Enti Shtetëror i Statistikave këtë vit nuk ka dalë me të dhënat sa peshon shporta konsumatore e cila përfshin vetëm shpenzimet për produktet ushqimore, me arsyetimin se mediat keqpërdorin metodologjinë në bazë të cilës bëhet përllogaritja.

Me të dhëna konkrete rreth shportës konsumatore ka dalë Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë, sipas së cilës për një familje 4 anëtarëshe ka përllogaitur se nevojiten 32 mijë denarë (rreth 520 euro), në të cilën shportë konsumatore janë përfshirë shpenzimet për banim, ato për higjienë, transport, kulturë, veshmbathje dhe shëndet.

Ndërkohë, paga mesatare mujore në Maqedoni është vetëm 21 mijë denarë, përkatësisht rreth 350 euro.

Angelina Stojanovska, pensioniste thotë se tani me pensionin e saj prej 10 mijë denarë nuk arrin të përballojë pagesën e faturave për shpenzimin e energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes.

“Po duhet të zgjedh mes asaj ose të paguaj faturat ose të blej gjërat elementare për ushqim. Çdo ditë blejë vetëm një bukë dhe një kg qumësht për të tretur ilaçet e shumta që duhet t'i marr në këtë moshë, për asgjë tjetër s'më mbetet. Në vend se t'i ndihmoj fëmijët, unë u bëhem barrë atyre gjatë dimrit sepse s'i përballoj dot faturat e lata për ngrohje”, thotë zonja Stojanovska.

Hanife Aliu, nga Çairi i Shkupit, nënë e tre fëmijëve, thotë se vitin e kaluar me 500 denarë të paktën ka mundur që të sigurojë produktet më të rëndësishme për një ditë për fëmijët e saj, tani thotë ajo mezi arrin të blejë pak më shumë se gjysmën e gjërave që ka blerë vitin e kaluar.

“Po janë shtrenjtuar pak më shumë produktet për ushqim, nuk mund të them konkretisht cilat, por fakt se shumica e tyre janë shtrenjtuar”, thotë zonja Aliu.

Ndërkohë, Vedat Dervishi, pronar i një marketi, thotë se tani shumë rrallë vijnë në dyqan për të blerë tre ose katër kilogramë vaj për tërë muajin, apo produkte të tjera në shumicë, ndërkohë që lista e atyre, siç shprehet ai, kërkon “veresi”.

“Po duket se për popullin bëhet problem i madh sigurimi i produkteve ushqimore. Tani secili përcaktohet vetëm për ato gjërat më elementare, nuk mendohet për gjëra luksi si ëmbëlsira apo diçka tjetër”, thotë Dervishi.

Visar Ademi, ekspert o ekonomisë thekson se varfëria ritet si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë e cila është fokusuar vetëm në investime jo kapitale.

“Ekonomia e vendit i ngjason asaj mbytjes në atë baltën apo rërën, që ne vetë e krijojmë, Qeveria e Maqedonisë me politikat e saja ekonomike subvencionon ato degë që absolutisht nuk kanë perspektivë apo ndonjë lloj beneficioni që do të sjell rezultate në një periudhë afatmesme”, thekson Ademi.

Drage Jovanovski, konsulent juridik i sindikalistëve, vlerëson se me vetë faktin se paga minimale nuk arrin as 9 mijë denarë të plota (150 euro), është shumë më e ulët se shporta e konsumatorëve, tregon qartë se për pjesën më të madhe të qytetarëve të Maqedonisë të cilët jetojnë në kushte shume të vështira ekonomike, më nuk flitet për sigurimin e gjërave elementare, por për kufijtë e ekzistencës.

“Me këto paga që marrin qytetarët e Maqedonisë nuk mund të marrin as produktet kryesore, e jo më të flitet për një jetë kualitative. Madje kohën e fundit me plot përgjegjësi e them se është devalvuar pagesa e mundit të punëtorëve si asnjëherë më parë”, thekson Jovanovski.

Ndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës kanë nxjerrë në pah se gjatë vitit të kaluar, përkatësisht gjatë vitit 2013, 42 për qind e të punesuarve nga numri i përgjithshëm prej 650 mijë i takon kategorisë së të punësuarve që marrin pagë minimale, përkatësisht më pak se 200 euro ose 12 mijë denarë dhe vetëm 10 për qind e të punësuarve kanë pagë më të madhe nga paga mesatare, përkatësisht të ardhurat e tyre mujore sillen mbi 20 mijë denarë.

Ndërkohë që vetëm 1.3 për qind e qytetarëve në Maqedoni apo rreth 9 mijë të punësuar marrin pagë më të madhe se 40 mijë denarë.

XS
SM
MD
LG