Ndërlidhjet

Rusia dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për gazin

  • RFE /RL

Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Moska dhe Kievi kanë nënshkruar një marrëveshje historike, e cila garanton dërgesat e gazit rus në Ukrainë gjatë këtij dimri, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara në lidhje me luftimet në lindje të Ukrainës.

Marrëveshja, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe vlen deri në mars të vitit 2015, është nënshkruar në Bruksel nga ministrat e Energjisë të të dyja vendeve, Aleksandr Novak dhe Yuri Prodan, si dhe nga komisionari për Energji i BE-së, Guenther Oettinger.

Marrëveshja pason muaj të negociatave midis Moskës dhe Kievit.

Oettinger ka thënë se në bazë të marrëveshjes, Ukraina do t’i paguajë Rusisë 1.45 miliard dollarë borxhe brenda ditësh, në mënyrë që Moska të rinisë furnizimet.

Ai ka thënë se Rusia, më pas, do ta ulë çmimin e gazit për Ukrainën për rreth 100 dollarë, përkatësisht në 385 dollarë për 1,000 metra kub.

Kievi pastaj do të ketë qasje në furnizimet me gaz të Rusisë, në këmbim të parapagimit, ka sqaruar Oettinger.

Marrëveshja pritet të përfshijë fonde të BE-së për të ndihmuar Ukrainën që të paguajë borxhet e saj për gjigantin rus të gazit, Gazprom.

“Ne mund të garantojmë siguri të furnizimit gjatë dimrit, jo vetëm për Ukrainën, por dhe për vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Oettinger.

“Kjo është ndoshta shenja e parë e një politike të mençur dhe funksionale të fqinjësisë së mirë dhe ndoshta dritëza e parë e relaksimit të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje”, ka shtuar Oettinger.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Yuri Prodan, ka thënë se vendimi i marrë ofron siguri të energjisë për Ukrainën dhe Bashkimin Evropian.

Moska ka ndërprerë furnizimet me gaz për Ukrainën në mes të qershorit, duke thënë se ajo i ka borxh 5.3 miliardë dollarë.

Mosmarrëveshja ka ndodhur në kohën e konfliktit midis dy vendeve, për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe mbështetjes së vazhdueshme politike dhe ushtarake të Moskës për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Pasi Ukraina mbështetet në Rusinë për rreth 50 për qind të gazit, fillimi i dimrit e ka bërë të nevojshme një marrëveshje më urgjente.

Rusia po ashtu plotëson një të tretën e nevojave të Bashkimit Evropian për gaz dhe gjysma e kësaj sasie kalon përmes Ukrainës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri rus i Energjisë, Aleksandr Novak, ka thënë se Moska mbetet një “furnizues i besueshëm” i energjisë në Evropë.

Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili ka mbikëqyrur nënshkrimin, e ka vlerësuar lart marrëveshjen.

“Përgjegjësia politike, logjika e bashkëpunimit dhe ndjenja e thjeshtë ekonomike kanë mbizotëruar. Ky është një hap i rëndësishëm për sigurinë tonë të përbashkët të energjisë në kontinentin evropian”, ka thënë Barroso.

Liderët e Francës dhe Gjermanisë kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se Bashkimi Evropian “do të luajë plotësisht rolin e tij” për zbatimin e marrëveshjes së gazit.

Francois Hollande dhe Angela Merkel kanë thënë se kanë biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe atë të Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe se të katërtit kanë mirëpritur marrëveshjen për shpëndarjen e gazit rus në Ukrainë, të arritur falë ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian. (v.tela)

XS
SM
MD
LG