Ndërlidhjet

Pak vrasës të gazetarëve përballen me drejtësinë


Pamje nga shënimi i përvjetorit të vrasjes së gazetares ruse, Anna Politkovskaya

Pamje nga shënimi i përvjetorit të vrasjes së gazetares ruse, Anna Politkovskaya

Kur ka kaos në rrugë, disa nga objektivat e para të vrasjeve janë gjithmonë gazetarët.

Ukraina nuk bën përjashtim. Shtatë gazetarë dhe ndihmës të tyre janë vrarë atje, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, pasi grupe të qeverisë dhe opozitës kanë bërë përpjekje të eliminojnë dëshmitarët okularë dhe zërat kundërshtues.

Njëri nga ta, Vyacheslav Veremiy, gazetar i gazetës “Vesti” në Kiev, është qëlluar për vdekje pasi ka filmuar vullnetarët duke mbështetur presidentin e atëhershëm të Ukrainës, Viktor Yanukovich, më 19 shkurt.

Dhe Sergei Dolgov, redaktor në gazetën pro-ruse "Khochu v SSSR" (Dua të jem në BRSS), është vrarë nga rrëmbyes të paidentifikuar pranë qytetit Dnipropetrovsk, po ashtu më 19 shkurt.

Fakti që identiteti i asnjërit vrasës nuk është gjetur apo ndjekur, është normal.

Një raport i ri, i publikuar më 28 tetor, ka vënë në pah se 90 për qind e atyre që vrasin gazetarë në gjithë botën, nuk përballen kurrë me drejtësinë.

Raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, një promovues i lirisë së shtypit me seli në SHBA, vjen në prag të Ditës Ndërkombëtare për Fundin e Mosndëshkimit të atyre që vrasin gazetarë, e cila shënohet më 2 nëntor.

Sipas raportit, një total prej 370 gazetarësh janë vrarë në gjithë botën gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, në hakmarrje të drejtpërdrejtë për punën e tyre.

Pjesa më e madhe nuk kanë qenë korrespondentë të luftës, por gazetarë lokalë që kanë raportuar për korrupsionin, krimin, të drejtat e njeriut dhe politikën.

Autorët e raportit kanë thënë se “grupet kriminale, zyrtarët qeveritarë dhe ushtarakë, milicitë e paligjshme, grupet paramilitare dhe të tjerët” kanë vrarë qëllimisht gazetarë, në mënyrë që të krijojnë një klimë të frikës dhe të ndalojnë mediat nga raportimi i aktiviteteve të tyre.

“Sulmet ndaj mediave kanë penguar botën që të kuptojë dimensionin e plotë të dhunës në Siri, trafikimin e drogës në Meksikë, ndikimin e militantëve në Pakistan dhe korrupsionin në Rusi”.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Fund të Mosndëshkimit, përfaqësuesja për media e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u ka bërë thirrje vendeve anëtare të grupit që të ndërmarrin hapa të vërtetë për të gjurmuar dhe ndjekur penalisht ata që kryejnë krime kundër gazetarëve.

Dunja Mijatoviq ka thënë se “vullneti politik për t’u përballur me çështjen e mosndëshkimit është shumë i ulët dhe në disa raste joekzistent”.

Sipas saj, retorika e ashpër nuk është e mjaftueshme, por duhet veprim konkret për të thyer ciklin e mosndëshkimit.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG