Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësimi i grave në pozita të larta vendimmarrëse në institucionet e pavarura në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët, thuhet në një raport të prezantuar të enjten nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] .

Raporti ka identifikuar disa sfida më të cilat ballafaqohen këto institucione, përfshirë bazën e pa sigurtë ligjore për veprim, autonominë joadekuate financiare dhe vonesat në emërimin e anëtareve të bordeve.

Ardiana Gashi, nga OSBE-ja thekson se përqindja e grave e përfaqësuar në institucione, është vetëm 40 përqind.

“Sipas të gjeturave në 25 institucione të pavarura rezulton se numri i përgjithshëm i të punësuarve është 3324, kurse numri i grave është 1364 . Përqindja e grave të përfaqësuara në këto institucione është 40 për qind, vetëm 18 për qind të grave janë anëtare të bordeve të këtyre institucioneve të pavarura, kurse kemi vetëm një kryesuese te bordit , kjo është Valdete Daka, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shton Gashi.

Arsye e mos përfaqësimit të grave në institucionet e pavarura të Kosovës, sipas Gashit, është politizimi i përzgjedhjes se kandidatëve për këto pozita, hezitimi i grave për të aplikuar dhe kujdesi ndaj fëmijëve dhe shtëpisë në familjet e tyre.

Por, nuk është vetëm Kosova e cila përballet me këto probleme. Vetë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që prej funksionimit të këtij misioni në Kosovë, nuk është udhëhequr nga femrat.

Përjashtim në fakt nuk bëjnë as misionet tjera ndërkombëtare, siç është Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë [UNMIK], Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit [EULEX], Zyra e Posaçme e Bashkimit Evropian [EUSR] si edhe forcat paqeruajtëse në përbërje të KFOR-it.

Valerie Zirl, zëvendës-shefe e zyrës së OSBE-së për çështje politike, pranon se edhe në organizatat ndërkombëtare dhe në vendet që përfaqësojnë këto organizata, të gjithë përballen me të njëjtat probleme me të cilat përballet shoqëria në Kosovë.

“Ne përballemi me të njëjtat probleme si ju këtu, duke nisur nga mundësitë për kujdesin ndaj fëmijëve, si të mbahet karriera profesioniste e një gruaje kur ajo vendos të bëjë fëmijë”, tha zonja Zirl, duke nënvizuar se edhe organizatat ndërkombëtare duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Xhevahire Izmaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk pajtohet se Kosova vuan nga mungesa e grave në pozita të larta vendimmarrëse. Sipas saj, të gjitha detyrimet ligjore sa i përket barazisë gjinore janë të plotësuara. Për këtë, Izmaku konsideron se nuk ka nevojë që edhe partnerët ndërkombëtarë për çdo vit të diskutojnë për fuqizimin e grave në pozita vendimmarrëse.

“Kjo është në një aspekt periferik në numrin se sa përfaqësohen gratë në pozitat vendimmarrëse në institucione të pavarura. Nuk është më mirë as në rajon, pra nuk ka detyrim ligjor dhe moral që të ketë një femër në krye të një institucioni pasi ka specifikat e saj, pra duhet të ketë kriter profesionalizimi dhe jo kuote gjinore“, ka theksuar Izmaku.

Sociologët gjithashtu pranojnë se nuk është problem përqindja e të punësuarve në sektorin publik. Maria Berishaj Sylejmani, më problematike e sheh mungesën e përkrahjes së gruas në kornizat e një partie politike.

“E di se gjithmonë është ky debat kualiteti kundër kuantitetit kur të bëjmë më kuotën, mirëpo kuota gjinore është një masë e përkohshme e cila duhet të sigurojë pjesëmarrje në pozitat vendimmarrëse. Më pastaj me kalimin e kohës, gratë do të jenë në pozita vendimmarrëse, fuqizohen, gratë tjera janë më të inspiruara dhe njerëzit mësohen që duhet t’i përkrahin gratë në pozita vendimmarrëse dhe në atë kohë, më pas kuota mund të largohet”, tha Berishaj –Sylejmani për Radion Evropa e Lirë”.

Gratë anëtare të bordit në përqindjen më të lartë janë të përfaqësuara në Radio Televizionin e Kosovës më 45 për qind, pasuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil më 43 për qind dhe Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik më 33 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG