Ndërlidhjet

Hoxhaj në Sllovaki: Në Ballkan ende shumë punë për të bërë


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Enver Hoxhaj, pas vizitës në Beograd ka qëndruar në Sllovaki me ftesë të ministrit të Jashtëm të këtij vendi, Miroslav Lajcak.

Hoxhaj ka marrë pjesë në konferencën e përbashkët të ministrave të jashtëm të katër vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, përfshirë pjesëmarrjen e shefes së re të Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme në Prishtinë, thuhet se pjesëmarrësit kanë diskutuar për temën qendrore të integrimeve evropiane të Ballkanit përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të mund të përfitonin shumë edhe nga shembulli i grupit të Vishegradit ku bëjnë pjesë Sllovakia, Hungaria, Polonia dhe Çekia.

Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka thënë se është e vërtetë që krahasuar me dhjetë vjetët e fundit gjendja ka ndryshuar shumë në Ballkan, por ende mbetet shumë për të bërë jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe atë politik, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Si shembull Hoxhaj ka sjell dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur pesë hapat që duhet ndjekur për ta përmbyllur me Traktatin e Paqes, ndërsa e ka vlerësuar më se frytdhënëse konferencën në Bratislavë të Sllovakisë.

“Kjo është vizita ime e tretë në Sllovaki ku gjatë ditës së sotme kam marrë pjesë në një konferencë të përbashkët të vendeve të Vishegradit që përfshijnë Sllovakinë, Hungarinë, Poloninë dhe Çekinë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Temë qendrore ka qenë agjenda e integrimeve evropiane për Ballkanin dhe se si këto vende, konkretisht se si edhe vendi ynë Kosova të ketë mbështetje nga këto vende anëtare të BE-së në agjendën e saj integruese”, ka thënë Hoxhaj.

Konferenca është vazhdimësi e shumë nismave rajonale të zhvilluar gjatë vitit 2014 ku në fokus ka qenë Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve në mënyrë që ta përshpejtojnë integrimin evropian.


XS
SM
MD
LG