Ndërlidhjet

25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit: Hungaria rri larg demokracisë


Një çerek shekulli më parë, në një fjalim energjik në Sheshin e Heronjve në Budapest, Viktor Orban ka bërë thirrje për shpërbërjen e komunizmit në Hungari, për zgjedhje të lira dhe për tërheqjen e trupave sovjetike, duke drejtuar kështu një valë të revolucioneve në bllokun lindor, të cilat kanë kulmuar me rënien e Murit të Berlinit.

Por, nëse Hungaria ka qenë një frymëzuese demokratike në Evropën Lindore, në ditët marramendëse të vitit 1989, sot ajo paraqet një shembull alarmant.

Dhe përsëri është Orban në krye – këtë herë si kryeministër i Hungarisë.

Partia e tij Fidesz, ka ardhur në pushtet në vitin 2010, në vazhdën e krizës globale financiare, e cila ka goditur rëndë Hungarinë.

Duke premtuar veprime gjithëpërfshirëse dhe ringjallje të ekonomisë para një elektorati të pakënaqur me qeverinë liberale të majtë, partia ka fituar një shumicë kushtetuese, të cilën e mban qysh atëherë dhe Fidesz nuk do të përballet me votuesit deri në vitin 2018.

“Jemi ngjitur nga bodrumi i Evropës dhe kemi marrë kontrollin e kateve të sipërme”, ka thënë Orban gjatë një seance të parlamentit, muajin e kaluar, pasi Fidesz ka shënuar fitore në zgjedhjet lokale. Kjo është fitorja jonë e tretë me radhë dhe kjo për faktin se kemi arritur të bashkojmë kombin dhe të punësojmë njerëz”, ka thënë ai.

Por, ajo çfarë Fidesz dhe Orban kanë bërë gjithashtu, është goditja e mediave dhe organizatave joqeveritare, monopolizimi i pushtetit politik dhe nxitja e populizmit të krahut të djathtë dhe të nacionalizmit, thonë kritikët.

Rritja e partisë së hapur fashiste dhe anti-semitike Jobbik – tani partia e dytë më e madhe në Hungari dhe alternativa e vetme për Fideszin – ka lëshuar këmbanat e alarmit po ashtu.

Për të kuptuar efektin e Fideszit në media, një shembull i mirë është radio-stacioni politik Klubradio.

Ky radio-stacion po përjeton kohë të vështira nën Orbanin. Ai mund të dëgjohet vetëm në dhe përreth kryeqytetit dhe kërkon donacione nga dëgjuesit për të vazhduar transmetimet.

"Askush nuk e ka mbyllur këtë radio-stacion, por kur ka ardhur koha e ripërtëritjes së licencës më 2011, qeveria ka refuzuar të organizojë një tender të ri", thotë redaktori Gyorgy Bolgar. Licenca ka skaduar dhe qeveria vazhdon ta zgjasë atë çdo dy muaj.

“Të gjithë në Hungari e dinë, madje edhe reklamuesit, se e ardhmja jonë është në pikëpyetje. Ne mund të planifikojmë vetëm për dy muaj”, thotë Bolgar.

Veronika Mora, nga organizata joqeveritare Okotars, ose Fondacioni i Partneritetit Mjedisor, ka rrëfim të ngjashëm. Okotars është hetuar nga qeveria Fidesz për rolin e saj për shpërndarjen e granteve te OJQ-të tjera hungareze, nga një fond që është operuar nga Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Zyra e Kontrollit e Qeverisë ka hetuar organizatën Okotars që nga muaji qershor për keqmenaxhim financiar.

“Qeveria i konsideron mbrojtjësit kritikë, OJQ-të monitoruese si të padëshiruara, çfarë është bërë e qartë edhe nga fjalimi i famshëm i kryeministrit për ‘shtetin joliberal’, ku ai ka thënë hapur se OJQ-të u shërbejnë interesave të huaj”, thotë Mora.

Zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, ka thënë se akuzat kundër Budapestit janë “të motivuara politikisht”. Sipas tij, Hungaria qëndron fuqishëm përkrah vlerave evropiane dhe të NATO-s, ndërsa ndjek interesat kombëtarë aq sa është e mundur.

“Nëse u hidhni vetëm një vështrim vendimeve tona gjatë katër viteve të kaluara, ne kurrë nuk kemi kaluar kufijtë e përcaktuar nga vlerat evropiane apo të NATO-s”, ka thënë Kovacs.

Për rritjen e partisë Jobbik, ai ka fajësuar zhgënjimin e hungarezëve me “qeveritë liberale”. Ai ka thënë se Jobbik nuk është më alarmues se partitë e krahut të djathtë në vende të tjera të Bashkimit Evropian, të tilla si Suedia.

"Prioritet i lartë i Fideszit mbetet suksesi i Hungarisë, Hungaria si vend dhe hungarezët si komb", ka thënë Kovacs.

Kur Fidesz ka fituar pushtetin në vitin 2010, ekonomia e Hungarisë ka qenë në prag të katastrofës. Sipas Bankës Botërore, bruto prodhimi i brendshëm i vendit ka rënë dramatikisht, nga 155 miliardë dollarë në vitin 2009 në vetëm 128 miliardë dollarë më 2010.

Zotimi i partisë Fidesz se në katër vitet e para të saj do të stabilizojë ekonominë, është përmbushur. Por, premtimet për rritje në katër vjetët e tjerë duken më sfiduese, ka thënë Attila Szalay-Berzeviczy, ish-udhëheqës i Bursës së Budapestit.

“Kjo është sfida për qeverinë – si të fitojë përsëri besimin?! Në katër vitet e ardhshëm, asnjë befasi nuk mund ta godasë sektorin privat. Sepse, është vështirë të investohet në këtë vend, nëse legjislacioni është plot surpriza të papritura”, ka shtuar Szalay-Berzevczy.

Edhe pse Fideszi i Orbanit komandon gjithë terrenin politik në Hungari, ai nuk ka kontroll absolut. Rreth 100,000 hungarezë kanë protestuar më 28 tetor, kundër taksës së propozuar për përdorimin e internetit.

Orban është përgjigjur duke thënë se do ta rishikojë këtë masë. “Ne nuk jemi komunistë, ju duhet të qeverisni së bashku me popullin”, ka thënë Orban.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG