Ndërlidhjet

Shtëpia e Operës dhe Baletit, në pikën zero


Pjesëtarë të trupës së baletit të Kosovës...

Pjesëtarë të trupës së baletit të Kosovës...

Edhe pse ideja për ndërtimin e një Shtëpie të Operës dhe Baletit në Prishtinë, kishte nisur në vitin 2006 dhe projekti kishte filluar për tu realizuar në vitin 2009, me vënien e gurë themelit, ai edhe sot e kësaj dite nuk është realizuar.

Gurë-themelin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit e kishte vënë ish-ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri.

Në një material të zgjeruar të Radios Evropa e Lirë, faktorët që kanë qenë dhe janë të involvuar për realizimin e këtij projekti, pra, ish- zyrtarët dhe zyrtarët aktual të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që nga viti 2009 e këndej, thonë se projekti ka ngecur që në fillim, për shkak të dinamikës së financimit dhe kostos së lartë financiare, por edhe procedurave të caktuara që parashihte kontrata ndërmjet kësaj ministrie dhe kompanisë që kishte fituar projektimin.

(Mos) Revidimi i kontratës

Ish-ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kontrata e kësaj ministrie me kompaninë që kishte fituar projektimin kishte paraparë pagesën me faza.

Por, sipas tij, ka pasur ngecje në pagesë, derisa nuk është kompletuar projekti.

“Ka qenë kontrata që të paguhet me faza, por nuk është paguar derisa nuk ka ardhur komplet projekti. Kanë qenë disa elemente, nuk më kujtohet tash saktësisht, sepse është çështje zyrave tjera, por ka qenë më duket çështja e ventilimit, ujit, kanalizimit dhe disa elemente që nuk kanë qenë të definuara plotësisht. Por, projekti, si ideor, ka qenë pjesa më e madhe, mirëpo çështja e statikës dhe çështje tjera nuk kanë qenë të rregulluara si duhet”, thotë Beqiri.

Por, Jehona Shyti, këshilltare e lartë politike e ministrit në largim të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, duke shpjeguar rrjedhën e këtij problemi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2009 ka ekzistuar një projekt, për të cilën është nënshkruar kontrata me kompaninë që ka fituar projektimin.

Por, sipas saj, në kontratë ka qenë e paraparë që revidimi të bëhet brenda 1 viti dhe ai nuk ishte bërë në kohën kur ministër ka qenë Beqiri.

Më pas, siç thotë Shyti, Lutfi Haziri, që kishte marrë postin e ministrit të Kulturës, pas Beqirit, ka urdhëruar që të bëhet revidimi i projektit, por, vetëm pasi që ka kaluar afati. Problemi qenësor, sipas Shytit, pasi që është bërë revidimi, ka qenë plotësimi dhe ndryshimi i projektit.

“Kompania, e cila e ka fituar projektin, nuk ka pasur më kontratë me ministrinë, që të bëj plotësimin dhe ndryshimet, të cilat i ka nxjerrë revidimi. Ka kërkuar para shtesë. Në anën tjetër, kompanitë tjera, nuk mund të bëjnë plotësimin dhe ndryshimin e kërkesave që kanë dalë prej revidimit, për faktin se është ndërhyrje në të drejtën e autorit. Në këtë mënyrë, ministria ka mbetur në pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme, sepse ne në asnjë mënyrë nuk kemi arritur që t’i gjejmë rrugë kësaj amullie, këtij konfuzioni që e kanë shkaktuar ministrat paraprak”, shprehet Shyti.

Realizimi i projektit, 30 milionë euro

Megjithatë, sipas Shytit, problem edhe më i madh ka dalë problemi financiar, i cili nuk është planifikuar si duhet.

Projekti sipas saj, është planifikuar të ketë koston 30 milionë euro.

“Ka qenë 30 milionë euro dhe Ministria e Kulturës, në atë kohë, ka ndarë nga 1 milion për një vjet. Kjo i bie që ishte dashur që kulmi të jetë 30 vjet më iri se sa themeli. Do të thotë nuk është zgjedhur as problemi i financimit të këtij projekti”, bën të ditur Shyti.

Por, çfarë thotë ish ministri Beqiri për këtë kosto të realizimit të projektit të Shtëpisë së Operas dhe Baletit?

“30 milionë euro, sa mbaj mend unë, ka qenë një parashikim i ndërtimit të këtij objekti, që mendoj se, megjithatë, është një çmim mjaft i arsyeshëm, duke marrë parasysh që ky objekt do të duhej t’i strehonte të gjitha institucionet kulturore”, thekson Beqiri.

Ish-ministri Beqiri, thekson se financimi i realizimit të projektit ishte paraparë jo vetëm nga mjetet buxhetore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe me sponsor.

Filarmonia dhe Baleti, me kushte minimale, por jashtë konsultave

Por, a janë konsultuar ndonjëherë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që nga viti 2009 e deri më tash, ata për të cilët është planifikuar ndërtimi i Shtëpisë së Operës dhe Baletit?

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se kjo nuk ka ndodhur kurrë.

“Asnjëherë, në asnjë nomenklaturë politike, ndërrimet që janë bërë prej 2006, por edhe prej 2009 e tutje, Filarmonia nuk ka qenë zyrtarisht e përfshirë dhe e konsultuar, lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit”, shprehet Jashari.

Ngjashëm thotë edhe shefi i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj...

“As nuk na e kanë treguar projektin. Nuk e di s’duket projekti, Unë po ju them se askush nuk është konsultuar me neve”, thotë Brahimaj.

Të dy këta drejtues të institucioneve reprezentuese kulturore, vlerësojnë se ndërtimi i Shtëpisë së Operas dhe Baletit, është nevojë tejet e madhe, që këto institucione, por edhe të tjerat kulturore, të funksionojnë në kushte normale.

Filarmonia e Kosovës, aktualisht shfrytëzon një objekt të komunës për të punuar, ndërkohë që koncertet kryesisht i mbanë në të ashtuquajturën “Salla e kuqe” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës,Baki Jashari, shpjegon gjendjen në të cilën e zhvillojnë aktivitetin ky institucion.

“Po ju tregoj vetëm një moment. Kur kemi prova përfundimtare, ku orkestra kompletohet, dy-tre ditë para koncertit dhe natyrisht që provat mbahen këtu në Filarmoni, dirigjenti, i cili është pikënisja që shihet edhe vizuelisht , praktikisht del në korridor, sepse e tërë hapësira mbushet. Tash, mos ta imagjinojmë kur kemi projekte vokale-instrumentale... lere më hapësira, por edhe frymëmarrja është e pamundshme”, thotë Jashari.

Ahmet Brahimaj shpjegon se trupa e baletit punon në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovë, në Prishtinë. Por, sipas tij kjo punë zhvillohet me kushte dhe hapësirë minimale.

“Edhe skena është shumë e vogël dhe nuk ke mundësi ta zhvillosh shfaqjen sipas nevojave të koreografëve. Salla për ushtrime është si të hysh në kupe të trenit, aq e gjatë. Edhe gjerësia është shume vogël. Është në bodrum, nuk ka ajrosje sa duhet, ka lagështi. Është rinovuar dy herë, por jo si duhet”, thotë Brahimaj.

Rikthim në fillim

Po ku e shohin këta drejtues institucionesh ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit, afër 6 vjet pas vënies së gurë-themelit?

Baki Jashari thotë:

“Praktikisht, kemi ardhur në pikën zero”.

Ndërkaq, për Ahmet Brahimajn, vendi ku është vënë gurë-themeli, është shndërruar, siç e quan ai, moçal.

“Aty po notojnë bretkosat. Është për të ardhur keq”.

Edhe Shyti, e pranon që çështja e vazhdimit të ndërtimit të Shtëpisë së Operës dhe Baletit, është rikthyer aty ku kishte filluar.

“E vërtetë që është në pikën zero, sepse nuk kemi zgjidhje dhe nuk kemi mënyrë se si të dalim nga kjo”.

Shyti ka theksuar se tashmë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për sa i përket realizimit të projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit, tashmë gjendet përballë dy opsioneve.

Opsioni i parë, sipas saj, është anulimi i tërësishëm i projektit dhe shpallja e një tenderi ndërkombëtarë.

Por, sipas saj, kjo është problematike, sepse deri më tash janë dhënë miliona euro për realizimin e projektit ekzistues. Opsioni i dytë, sipas saj, është vazhdimi i projektit të njëjtë, me plotësime dhe ndryshime.

Edhe ky opsion, siç tha Shyti, është me probleme, për shkak se është mjaft i kushtueshëm dhe nuk ekziston siguria se mund të dal një projekt si duhet dhe që do ta zgjidhte problemin në tërësi.

Vendimi, për njërin ose tjetrin opinion, sipas Shytit, do të merret vitin e ardhshëm.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG