Ndërlidhjet

VOX

A ka literaturë të mjaftueshme për studentë?


Ilustrim

Ilustrim

Viti akademik 2014 / 2015, ka nisur me rreth 50 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës në fillim të tetorit. Studentët që do të vazhdojnë studimet por edhe ata që kanë filluar tashmë vitin e parë, flasin për rubrikën tonë të përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, se a e kanë të vështirë të gjejnë literaturën që u kërkohet.

Burbuqe Hasaj e cila është në studime post diplomime, thotë se vazhdimisht ka pasur probleme me tituj të përkthyer,por edhe për libra të caktuar që i janë dashur për studime.

“Fatkeqësisht unë për vete kam pasur shumë problem të gjej literaturë në gjuhën shqipe, ose tituj të përkthyer në gjuhën shqipe, që më janë dashur për master që e kam kryer jashtë vendit. Të njëjtin problem e kanë edhe kolegët, ose ish kolegët të cilët kanë studiuar në Kosovë. Unë kam kryer studimet në Kosovë dhe kam pas problem të gjej literaturë. Fatmirësisht, unë e njoh gjuhën angleze dhe kam blerë libra në Amazon. Përndryshe ka mungesë të literaturës sidomos në fushën shkencore”, ka shtuar Hasaj.

Ajo gjithashtu ka theksuar se si alternativë, studentët kanë mësuar nga skripta të fotokopjuara.

“Janë disa dyqane që ofrojnë skripta të fotokopjuara dhe mund të them se 80 për qind e studentëve u referohen këtyre skriptave, që i marrin me një çmim shumë të volitshëm".

Edhe Melina Belegu, e cila studion për degën e medies dhe komunikiminit, thotë se ka mungesë literature për studentët.

“Ka mungesë të literaturës së studentëve. Edhe pse mundohen nëpër shkolla që t’a plotësojnë literaturën por në shumicën e rasteve ajo mungon. Mendoj se literatura është e shtrenjtë. Unë studioj në fakultet privat dhe të gjitha shpenzimet duhet mbuluar vet. Andaj mendoj se fakultetet private duhet t’a kenë literaturën e vet, e jo të paguajmë edhe këto" është shprehur Belegu.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës këtë vit, për zvogëlimin e pagesës për 50 për qind të semestrit, ka qenë një lajm i mirë për mbi 53 mijë studentët e nivelit bachelor dhe master, në të gjitha universitet publike në Kosovë.

Kështu kanë thënë shumë studentë, ku sipas tyre e kanë më të lehtë që paratë e kursyera nga pagesa për semestër, të blejnë librat e nevojshëm.

Deri më tani studentët e nivelit bachelor kanë paguar semestrin 50 euro, apo 100 euro në vit, ndërkaq ata të nivelit master 300 euro semestrin, apo 600 euro në vit.

Jeton Morina thotë se nuk e ka shumë të vështirë të gjej literaturë, pasi që ato zakonisht i gjen si skripta të fotokopjuara.

“Tash janë fotokopjet dhe po i shfrytëzojmë skriptat. Por ka edhe profesorë të caktuar që i kërkojnë librat e tyre".

Por, ka edhe të atillë që i shfrytëzojnë bibliotekat për t’u shërbyer me literaturë. Mentor Kastrati, student në fakultetin filologjik nuk e sheh këtë si problem.

“Jo nuk kemi problem me gjet literaturë. Tashmë edhe në bibliotekë gjindet literatura që kërkohet. Unë studioj në fakultetin filologjik dhe në bibliotekën e fakultetit tonë zakonisht e gjejmë literaturën”, ka shtuar Kastrati.

Edhe studenti Visar Jaka sheh alternativa të ndryshme lidhur me këtë çështje.

“Studioj edhe nuk kam probleme për gjetjen e literaturës, sepse tash edhe përmes internetit po mund t’i gjej. Kush do të punojë, mund të gjejë alternativa, e kush nuk do, është diçka tjetër".

Sidoqoftë , ekspertë të arsimit kanë deklaruar disa herë se cilësia e arsimit mbetet shqetësuese për shoqërinë dhe institucionet në përgjithësi. Sipas tyre, cilësia e arsimit në Kosovë nuk garanton të ardhme të sigurtë për qytetarët, duke shtuar se në institucionet universitare, mësimet bëhen tërësisht në mënyrë teorike dhe asgjë praktike.

Ndryshe, përfundimi i studimeve universitare në Kosovë, jo domosdoshmërisht i'u garanton edhe mundësinë e punësimit të rinjve, por vijimi i studimeve dhe përfundimi i tyre në drejtime të ndryshme universitare, bëhet me shpresën se do të punësohen dhe do t’u hapen dyert për zhvillim të mëtutjeshëm, kanë thënë disa student të rinj në Prishtinë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG