Ndërlidhjet

logo-print

Personat me aftësi të kufizuara, s’punësohen në sektorin privat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë duhet të punojnë edhe në sektorin privat në Kosovë, sektor ky që përmban numrin më të madh të te punësuarve në vend.

Pikërisht për këtë çështje Rrjeti për Përgjegjësi të Korporatave në Kosovë, (Kosovo CSR Netëork), ditë më parë ka lansuar një iniciativë me qëllim që bizneset që operojnë në vend të krijojnë vende të reja të punës edhe për personat më aftësi të kufizuara.

Lendita Daija, drejtoreshë e Rrjetit për Përgjegjësi të Korporatave, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në ditën e parë të nisjes së projektit, disa kompani kanë shprehur interesimi për punësimin e personave të kësaj kategorie të shoqërisë.

“Me vetë faktin se në ditën e parë të lansimit janë punësuar 6 persona, tregon një seriozitet të mjaftueshëm. Dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara nuk është punësim një ditor apo javor, por është punësim i rregullt si për të gjithë personat në Kosovë. Kontrata për një pozitë pune tregon seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar aty ku ka hapësirë”, thekson Daija.

Kjo iniciativë dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara në sektorin privat do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetës së këtyre personave, pohojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.

Sebahate Beqiri, anëtare e Bordit të Forumit të Aftësisë së Kufizuar, tha se një numër i vogël i këtyre personave kanë arritur të punësohen si në sektorin privat dhe atë publik.

“Nuk kemi ndonjë statistikë, por numri tyre është shumë i pakët. Por, më lansimin e kësaj iniciative vetëm shihet se është ngritur vetëdija edhe tek institucionet publike por edhe ato private", thotë Beqiri për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë ekziston Ligji për Aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, në të cilin thuhet “çdo punëdhënës në institucionet publike dhe private është i obliguar të punësojë një person më aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtor”.

Por, sipas Sebahate Beqirit, ky ligj nuk zbatohet as nga institucionet publike, dhe as ato private.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se do të mundohen që të rrisin vetëdijen e kompanive anëtare që ekziston një ligj për këtë çështje dhe njëherësh të promovojnë idenë dhe rëndësinë e punësimit të personave me aftësi të kufizuara në sektorin privat.

Megjithatë, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, konsideron se autoritete kompetente duhet të krijojnë bazë ligjore që të stimulojnë dhe krijojnë lehtësira për sektorin privat në rast të punësimit të këtyre personave.

"Të nis plotësim – ndryshimi në ligjin që po i referohemi gjatë tërë kohës, që të fusim dispozita lehtësuese që bizneset që punësojnë persona më aftësi të kufizuara, në mesin e këtyre lehtësirave, do të ishte natyrisht edhe lehtësirat tatimore dhe lehtësira të tjera që do të inkurajonin këto biznese që të punësonin persona më aftësi të kufizuara”, thekson Zeka.

Sidoqoftë, në bazë të ligjit ekzistues thuhet se varësisht nga shkalla dhe kategoria e aftësisë së kufizuar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me akt të veçantë nënligjor, do të rregullojë dhe përcaktojë vendet e punës dhe punët e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG