Ndërlidhjet

Takimi në Parlamentin Evropian për EULEX-in


Ilustrim, foto nga arkivi

Ilustrim, foto nga arkivi

“Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë zemëruar anëtarët e parlamentit Evropian, duke refuzuar të japin hollësi për dyshimet mbi afera korruptive në Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX”, shkruan gazeta elektronike EUobserver, e cila raporton mbi zhvillimet në Bashkimin Evropian.

Fernando Gentilini, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politika të Jashtme të BE-së [EEAS], dhe Kenneth Deane, britaniku i cili mbikëqyr misionet civile të këtij shërbimi, u përballën pa praninë e mediave me anëtarët e komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian të hënën, më 3 nëntor.

Një zyrtar i Parlamentit Evropian, i cili ka marrë pjesë në sesionin e pyetje-përgjigjeve, citohet nga gazeta të ketë thënë se anëtarët e komitetit "janë ndarë shumë të zhgënjyer”, meqë dy zyrtarët nuk kanë dhënë shumë hollësi, duke u thirrë në nisjen e hetimeve.

Ndryshe, EULEX ka pohuar tashmë se është duke hetuar dyshimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të të disa të akuzuarve për vepra penale.

Gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë ka publikuar një sërë shkrimesh që flasin për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive.

Në qendër të këtyre shkrimeve është prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna, para se të botoheshin shkrimet në gazette.

XS
SM
MD
LG