Ndërlidhjet

Ukraina i paguan Rusisë borxhin prej 1.45 miliard dollarë


Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko

Kompania shtetërore e gazit në Ukrainë ‘Naftogaz’ thotë se ka transferuar në llogarinë e kompanisë ruse të gazit ‘Gazprom’ 1.45 miliard dollarë.

Ky është kësti i parë i shlyerjes së borxhit të Ukrainës ndaj Rusisë, e kërkuar nga një marrëveshje e arritur mes dy vendeve javën e kaluar.

Moska dhe Kievi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 31 tetor, kanë nënshkruar marrëveshjen, e cila garanton dërgesat e gazit rus në Ukrainë gjatë këtij dimri, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara në lidhje me luftimet në lindje të Ukrainës.

Marrëveshja, vlen deri në mars të vitit 2015, dhe është nënshkruar në Bruksel nga ministrat e Energjisë të të dyja vendeve, Aleksandr Novak dhe Yuri Prodan, si dhe nga komisionari për Energji i BE-së, Guenther Oettinger.

Marrëveshja e arritur pas muaj të tërë të negociatave, ka paraparë që Ukraina brenda ditësh t’i paguajë Rusisë 1.45 miliard dollarë borxhe, në mënyrë që Moska të rinisë furnizimet.

Pagesë kjo, që të martën e ka realizuar shteti ukrainas.

Tani, siç parashihet në marrëveshje, pritet qe Rusia, të ulë çmimin e gazit për Ukrainën për rreth 100 dollarë, përkatësisht në 385 dollarë për 1,000 metra kub.

Moska, kishte ndërprerë furnizimet me gaz për Ukrainën në mes të qershorit, duke thënë se ajo i ka borxh 5.3 miliardë dollarë.

Mosmarrëveshja ka ndodhur në kohën e konfliktit midis dy vendeve, për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe mbështetjes së vazhdueshme politike dhe ushtarake të Moskës për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Por, pasi që Ukraina mbështetet në Rusinë për rreth 50 për qind të gazit, fillimi i dimrit e ka bërë të nevojshme një marrëveshje të tillë mes tyre.

Rusia po ashtu plotëson një të tretën e nevojave të Bashkimit Evropian për gaz dhe gjysma e kësaj sasie kalon përmes Ukrainës.

XS
SM
MD
LG