Ndërlidhjet

Vizita e Ramës në Beograd, agjenda ende e pazyrtarizuar


Edi Rama

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, planifikon një vizitë në Beograd në datën 10 nëntor. Vizita ishte përcaktuar që më parë për në datën 22 tetor, por dhuna e ushtruar në ndeshjen Serbi – Shqipëri, bëri që vizita të shtyhej për në datën 10 nëntor.

Ndeshja Shqipëri-Serbi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016, e cila u mbajt në Beograd është pezulluar dhe ndërprerë në minutat e fundit të pjesës së parë të lojës, për shkak të tensioneve në stadium.

Që prej atëherë, nuk kanë munguar shkëmbimet e deklaratve mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, për fajësinë dhe shkakëtarët e incidenteve në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, i pyetur si i komenton akuzat se politika shqiptare “i hodhi benzinë zjarrit”, kryeministri shqiptar Rama përgjigjet se “vetëm miqtë tanë serbë kanë promovuar këtë pretendim qesharak”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq ka reaguar pas kësaj deklarate, duke thënë se incidentet u shkaktuan "padyshim nga shqiptarët dhe ishin organizuar kohë më parë".

Dhe ndërkohë që kjo betejë fjalësh vazhdon, data 10 nëntor po afron, por agjenda që do të ndjekë zoti Rama në Beograd nuk është zyrtarizuar ende.

Në atë që përflitet jozyrtarisht në median shqiptare si agjendë, është paraparë që zoti Rama të ketë një takim me homologun e tij serb Vuçiq , t’i dhurohet çelësi i Beogradit nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit serb, dhe të ketë edhe një vizitë në Preshevë e Bujanoc me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Por, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se programi i vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi më 10 nëntor është në përgatitje e sipër dhe se ende nuk është e sigurt se çfarë do të përfshijë.

Ministri Daçiq u shpreh se nuk po diskutohet nëse Rama do të shkojë në Preshevë apo jo, por "mesazhet që kryeministri shqiptar mund të përcjellë atje".

Sipas tij, "e vendosur dhe e sigurtë është vetëm data e vizitës në Beograd, në 10 nëntor".

Së bashku me kryeministrin Rama, pritet që në këtë vizitë, të jenë edhe ministri shqiptar i punëve të jashtme, Ditmir Bushati dhe ai i ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Nëse realizohet sipas planifikimeve, do të jetë kjo vizita e parë e një udhëheqësi të Shqipërisë në Serbi, në 68 vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG