Ndërlidhjet

Turqia i frikësohet një vale të re të refugjatëve nga Siria


Pamje nga lufta civile në Aleppo të Sirisë

Pamje nga lufta civile në Aleppo të Sirisë

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka akuzuar forcat e Sirisë për kryerjen e masakrave në qytetin Aleppo, duke thënë se Turqia rrezikon që të pranojë edhe një valë të re të refugjatëve nga ky vend.

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri, kanë bërë që ushtria e Presidentit Bashar al-Assad të intensifikojë sulmet kundër disa grupeve rebele në perëndim dhe veri, grupe këto që Uashingtoni i konsideron si aleat.

Ankaraja ka kërkuar nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që të zgjerojnë fushatën e tyre kundër Assad-it dhe Shtetit Islamik, duke thënë se nuk mund të ketë paqe në Siri, nëse Assad mbetet në pushtet.

"Ne jemi duke shikuar zhvillimet në Aleppo me shqetësim. Edhe pse qyteti nuk është në prag të rënies, ai është nën presion ekstrem," u ka thënë Davutoglu gazetarëve të martën mbrëma, pas një takimi me gjeneralëte lartë të Turqisë.

Aleppo, qyteti më i populluar i Sirisë, është ndarë përafërsisht në gjysmë, midis trupave opozitare në lindje dhe trupave të qeverisë në perëndim.

“Forcat e Assadit po kryejnë masakra të mëdha në Aleppo. Nëse ky qytet bie, Turqia rrezikon që të ballafaqohet me një valë të madhe dhe shumë serioze të refugjatëve”, ka thënë kryeministri turk.

Në Turqi tashmë mbahen më shumë se 1.5 milion refugjatë nga lufta civile në Siri.

Në Siri po luftojnë forcat e Assadit kundër dhjetëra grupeve të armatosura që e quajnë veten ‘Ushtria Çlirimtare e Sirisë’, të përkrahur nga SHBA-të.



XS
SM
MD
LG