Ndërlidhjet

Reduktimet e rrymës alarmojnë bizneset


Termocentrali "Kosova B"

Termocentrali "Kosova B"

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike kanë filluar të krijojnë probleme të mëdha për bizneset prodhuese në Kosovë. Përfaqësues të bizneseve kanë treguar për Radion Evropa e Lirë, se reduktimet janë të shpeshta dhe si të tilla kanë filluar të dëmtojnë rëndë veprimtarinë e tyre.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, është njëra nga kompanitë e cila po ballafaqohet me pasiguri në furnizim të energjisë.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, thotë se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, pamundëson zhvillimin e veprimtarisë së tyre.

“Natyrisht që problemi me energji elektrike është shumë i madh për kompaninë tonë dhe kompanitë prodhuese. Ky problem është duke e përcjellur Kosovën që nga pas lufta, por qe disa vite kishte pasur një stabilizim, po tani ka reduktime të shpeshta dhe e gjithë kjo do ta ngritë edhe koston e prodhimit të produkteve tona”, ka shtuar Palushi.

Ndërprerjet me energji elektrike në kohën kur temperaturat bien dhe konsumi rritet, ishin paralajmëruar edhe nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS). Ata kanë deklaruar se si pasojë e gjithë kësaj situate të krijuar është shpërthimi që ka ndodhur në termocentralin Kosova A, në muajin qershor.

Punimet në këtë termocentral janë duke vazhduar dhe deri në fund të dhjetorit nuk pritet të përfundojnë.

Zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, kanë premtuar se do të bëjnë të pamundurën që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEDS-it Guri Shkodra, ka thënë se ndërprerje me energji elektrike mund të ketë vetëm në rastet kur ka prishje dhe kur pamundësohet realizmi i importit nga vendet prej nga Kosova importon.

Kompania Pestova e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, për t’iu ikur problemeve të mungesës së energjisë elektrike kohë më parë kishte ndërtuar një lartëpërçues.

Pronari i kësaj kompanie,Bedri Kosumi , tregon për Radion Evropë e Lirë se aktualisht nuk kanë probleme, por që nëse ndërprerjet me energji elektrike ashpërsohen problemet do të jenë të mëdha edhe për kompaninë e tij.

“Duhet ta ndjekim teknologjinë bashkëkohore, atë çfarë e kanë konkurrentët tanë. Teknologjia bashkëkohore në rast se nuk ka furnizim me energji elektrike të rregullt krijohen shumë probleme. Edhe nëse ka zgjidhje alternative, si për shembull gjenerator që e kemi edhe ne në kompani, kjo nuk është zgjidhje”, theksoi Kosumi.

Kosumi ka shtuar se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike ngritë koston e produktit, dëmton kualitetin e produktit dhe sjellë shumë probleme tjera.

Ai kërkon nga autoritetet kompetente që të ndërmarrin hapa konkret në përmirësimin e kësaj gjendje, pasi që furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, siç thotë Kosumi do të ketë kufizime kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

“Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mendojnë për problematikat. Nëse donë të kenë zhvillim ekonomik duhet të ketë edhe furnizim të rregullt me energji elektrike”, shprehet ai.

Në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës, vlerësohet se “një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e re” dhe energjisë alternative, Kosova nuk do të mund të eliminojë problemin me energji elektrike.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG