Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Ende nuk dihet shkaktari i vdekjes së 28 vjeçarit


Ilustrim

Ilustrim

Me datën 5 nëntor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , ka ndërruar jetë një person me dyshimin për helmim me ushqim, konkretisht me mishin e pulës.

Nga po e njëjta familje janë pranuar edhe pesë anëtarë të tjerë, me simptoma të helmimit, e që sipas profesionistëve shëndetësorë, gjendja e tyre tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Në departamentin e mjekimit intensiv përgjegjësit thonë se viktima ka vdekur nga sulmi në zemër.

Hamdi Ramadani, Drejtor i Klinikës Infektive, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mostrat për analiza janë dërguar dhe se rezultatet përfundimtare do t'i marrin më 6 nëntor.

"Një person ka vdekur, por jo në klinikën infektive, por ne mjekimin intensiv. Nuk mendoj se ky person ka vdekur si pasojë e helmimit pasi që ekipi ynë nuk ka konstatuar se bëhet fjalë për ndonjë helmim.Janë marrë analizat për të vërtetuar shkaktarin e vërtetë dhe do t'i marrim rezultatet ditën e nesërme", ka theksuar Ramadani.

Zoti Ramadani flet edhe për 5 anëtarët e tjerë të familjes të cilët kishin pasur helmim familjar nga mishi i pulës.

"Është pranuar një familje 5 antarëshe nga Prishtina dje, me simptoma të helmimit me salmonella, me dhimbje barku, ethe, të vjella dhe bark-qitje, të cilët trajtohen aktualisht në klinikën infektive dhe gjendja është e mirë", ka shtuar ai.

Anesteziologu Shaqir Gashi, ka bërë të ditur se viktima është pranuar me shenja të helmimit, dhe ka pasur edhe sulm në zemër.

"Pacienti me inicialet V.XH. I lindur në vitin 1986 nga Prishtina, ka qenë pa puls perfikerik kardiak kur e kemi pranuar. Pas masave të reanimimit dhe pas analizave laboratrike dhe analizave tjera, ai është sjellë në mjekimin intensiv. Gjendja ka qenë e rëndë dhe zemra ka qenë shumë jo-stabile", ka shtuar Gashi.

Analizat janë dërguar dhe ende nuk kemi marrë rezultatet. Paraprakisht aq sa ne dimë ka pasur çrregullime me jashtëqitje dhe vjellje , por pse ka ardhur deri te ndalja e zemrës nuk e dimë ende.

Zoti Gashi thotë se deri në marrjen e rezultateve të analizave gjithçka mund të jetë spekulim.

"Mishi i pulës mundet me qenë spekulim, derisa të arrijnë analizat. Ne kemi kërkuar prej familjarëve që të bëhet obduksioni, por familjarët nuk kanë pranuar dhe e kanë marrë trupin e pajetë", ka theksuar Gashi.

Sidoqoftë zyrtarë të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, pasi siç thonë, ende në agjenci nuk ka ardhur ndonjë raport konkret.

Në Kosovë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel te lartë të sigurisë së ushqimit.

Kjo agjenci ka prioritet zbatimin e inspektimeve në fushën e sigurisë, higjienës, gjurmimit dhe etiketimit të ushqimit për njerëz dhe ushqimit për kafshë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG