Ndërlidhjet

Shqetësimet e ndryshme në vendin e punës, jeta e parregullt, lufta e përhershme mes mundësive dhe kërkesave, si dhe jeta gjithnjë e më dinamike, ka bërë që në Maqedoni të rritet për 30 për qind numri i përdoruesve të medikamenteve të ndryshme kundër depresionit.

Qytetarët thonë se gjendja e rënduar ekonomike në njërën anë dhe nga ana tjetër shqetësimet e ndryshme me të cilat përballen në vendin e punës janë arsyeja e vetme që i detyron në raste të caktuara të përdorin medikamente kundër depresionit.

“Po jo rrallëherë më ngrihen nervat si pasojë e asaj se jam nën presionin e kohës, të përfundoj punën, pastaj menaxhoj obligimet e përditshme si nënë, dhe e gjithë kjo në kushte kur buxheti familjar është gjithnjë e më i cekët, mos them tërësisht i zbrazët, më mbeten dy mundësi: ose të gëlltis një qetësues në mëngjes dhe më lehtë ta pranoj ditën, ose të duroj kokëdhimbjen”, thotë një qytetare, në të tridhjetat.

Gjersa një qytetare tjetër thotë se medikamentet kundër depresionit i përdor në raste të caktuara, meqë ata lehtësisht mund të merren në barnatore edhe pa recetë, përkatësisht rekomandim nga mjeku.

“Nuk jam përdoruese e rregullt e anti-depresivëse, por ka pasur periudha të caktuara kur i kam përdor të njëjtat. Normal, nuk kam shkuar te mjeku po thjesht jam drejtuar në barnatore sepse të njëjtat jepen edhe pa recetë”, thotë një qytetare tjetër.

Por ka dhe qytetarë të tillë që përdorimin e anti-depresivëve e quajnë si veprim të gabuar.

“Jo nuk përdor barna të tilla, thjesht nuk i kam përdorur asnjëherë në jetë dhe kjo nuk do të thotë se jetën e kam pasur të lehtë, po mendoj se për të tejkaluar situatat e vështira në jetë, forcën duhet ta kërkojmë brenda vetes sonë”, thotë një qytetar rreth të 60-ve.

Ndryshe, Fondit për Sigurim Shëndetësor në Maqedoni, ka ndezur alarmin se qytetarët përdorin barnat e ndryshme me efekt qetësues, me atë që gjatë vitit të fundit, përkatësisht 2013, në barnatoret e vendit janë realizuar një milion e 600 mijë receta me përmbajtje anti-depresive.

“Këtu bëjnë pjesë, mendoj në këto të dhëna vetëm ato medikamente të cilat janë marrë nga barnatoret me rekomandim të mjekut, që do të thotë se konsumi i anti-depresivëve është shumë më i madh nëse shtojmë dhe përdorimin e medikamenteve të ndryshme anti-depresive, pa recetë, përkatësisht blerjen e tyre në farmaci nga përdoruesit pa rekomandim të mjekut”, ka sqaruar doktor Igor Nellkovski, nga Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Ai shtoi se problem në vete paraqet dhe fakti se një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët përdorin anti-depresivë nuk janë të vetëdijshëm se këto barna krijojnë varshmëri nëse përdoren një kohë të caktuar pa mbykëqyerjen e mjekut.

Fondi për Sigurim Shëndetësor ka bërë të ditur se Diazepami, Apaurin, Lekselium, Heleks dhe Sanvall janë barnat të cilët më së shumti janë kërkuar në barnatore nga ana e qytetarëve.

Nga ana tjetër, sociologët theksojnë se gjendja shpirtërore e qytetarëve të Maqedonisë është e thyer si pasojë e përkeqësimit të standardit jetësor dhe pasigurisë në aspektin ekonomik.

Metush Sulejmani, sociolog, thekson se institucionet shtetërore duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim, përkatësisht të krijojnë pasqyrë reale në mes kërkesave të qytetarëve dhe mundësive, dhe jo në media të krijojnë një imazh të rrejshëm për standardin jetësor në vend.

“Shqetësimet në masë të theksuar te qytetarët janë si rezultat i faktorit ekonomik. Dëshpërimi është një indikator se në çfarë gjendje reale gjendet Maqedonia në aspektin ekonomik”, thekson Sulejmani.

XS
SM
MD
LG