Ndërlidhjet

Zgjidhja fillon nga respektimi i vendimit të Kushtetueses


Ilustrim©Shutterstock
Ilustrim©Shutterstock

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës po e përmbyllin edhe javën e cilësuar si vendimtare pa lëvizur nga pozicionet e tyre fillestare rreth formimit të institucioneve të reja.

Kriza politike, tashmë po e thellon edhe krizën financiare, kurse nga viti i ardhshëm, nga instancat më të larta shtetërore është paralajmëruar edhe krizë buxhetore.

Paralajmërimet e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, se liderët duhet të gjejnë zgjidhje ose vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve dhe kritikat e ashpra të ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson drejtuar lidershipeve të partive politike, megjithatë nuk kanë ndikuar që palët të reflektojnë drejt zhbllokimit të krizës.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri mendon se zgjidhja duhet të fillojë nga respektimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili parasheh që posti i kryetarit të Kuvendit t'i takojë Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke hequr dorë nga ky post, partitë e bllokut (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje), sipas Muhaxhirit, do t'i hapnin vetës mundësinë që të provojnë formimin e qeverisë.

"Fillimi i zgjidhjes së ngërçit politik është nëse blloku heq dorë nga kryeparlamentari dhe pasi që t'ia dëshmojë presidentes se e ka shumicën e deputetëve të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar", ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Pritjet që blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje të heq dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, tash për tash demantohen nga Avni Arifi, këshilltar i parë i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Arifi ka thënë se nga takimi i fundit i liderëve të bllokut, nuk ka dalë ndonjë qëndrim i ri dhe se mbetet në fuqi marrëveshja fillestare, sipas të cilës, ky koalicion pretendon postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të kryeministrit.

"Prej atëherë nuk ka ndodhur ndonjë takim i përbashkët i liderëve të koalicionit, prandaj vlen ai qëndrim që është prezantuar para mediave dhe opinionit publik. Se çfarë do të ndodhë dhe a do të ketë bisedime te blloku për këtë punë, kjo besoj që ditëve të ardhshme do të kuptohet", ka thënë Arifi.

Duke u ndërlidhur me afatet për formimin e institucioneve, Avni Arifi ka thënë në vijim se zvarritjet janë të tepërta, por sipas tij, nuk ka zgjidhje përmes shpalljes së zgjedhjeve të reja.

"Pesë muaj apo sa kanë kaluar, kjo është e tepërt, por sa i përket asaj që kjo gjendje mund të dërgojë në zgjedhje, mendoj se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për këtë", ka thënë Arifi.

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se presidentja Atifete Jahjaga, tani nga paralajmërimet duhet të kalojë në fazën e caktimit të afateve strikte kohore për partitë politike në lidhje me tejkalimin e krizës apo shpalljen e zgjedhjeve.

"Nëse presidentja publikisht e tregon një datë për përfundimin e të gjitha marrëveshjeve, atëherë kjo do të ishte shumë konstruktive sepse do të ishte një lloj presioni ndaj bllokut që të marrin vendim nëse do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo eventualisht do të shkohet në zgjedhje të reja, ngase mundësi tjera nuk ka", ka theksuar Muhaxhiri.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës gjatë javës mbajti edhe takimin e Këshillit Drejtues, ku ishte apostrofuar se nëse institucionet provohen të formohen pa PDK-në, vendi mund të shkojë në zgjedhje, pasi që kjo parti politike nuk e ka ndërmend të tërhiqet në opozitë pas fitores në zgjedhjet e 8 qershorit.

XS
SM
MD
LG