Ndërlidhjet

S’ka sindikata në sektorin privat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë kryesisht shkelen në sektorin privat ku edhe llogaritet numri më i madh i të punësuarve. E për të mbrojtur të drejtat e tyre, duhet formuar sindikatat, veprim ky që kërkon guxim nga punëtorët përballë menaxherëve të kompanive përkatëse.Në momentin që ngrisin zërin për pakënaqësi mund të humbin vendet e tyre të punës.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), theksojnë se janë në përpjekje që edhe në këtë sektorë të ketë organizime sindikale.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, sindikatë kjo që funksionon në kuadër të BSPK-se, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kohëve të fundit janë duke u krijuar sindikata në kompanitë private, por jo në nivelin e duhur.

Ai madje pohon se në shumicën e rasteve sindikatat organizohen vetëm në momentin kur ballafaqohen më probleme, madje edhe në mënyrë të fshehur nga punëdhënësi bëhen anëtar të sindikatës.

“Formimi i shoqatës sindikale bëhet vetëm atëherë kur gjendja është alarmante në atë kompani. Më çka neve na vështirëson punën edhe më shumë, sepse në vend që të fillojmë organizimin e mirëfilltë dhe të vijmë deri tek konkretizimi i të gjitha gjërave në përnjëherë duhet të merremi më organizimin e sindikatës dhe pastaj me problemin të cilinata ballafaqohen“, është shprehur Azemi.

Ndërkaq ditë më parë, disa punëtore të një kompanie private, kishin hyrë në grevë si pasojë e mos marrjes se pagave, kurse si përgjigje nga pronari kanë marrë largimin nga puna.

Se në sektorin privat nuk funksionojnë sindikatat thotë edhe Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksion në kuadër të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sindikatat në këtë sektor janë të rëndësishme thotë ai, pasi kjo ndikon edhe në respektimin e Ligjit të Punës.

“Fatkeqësisht, në sektorin privat pothuajse fare nuk ka sindikata, as në kompani të mëdha e as biznese të vogla. Nuk e di ku qëndron problemi sepse ne gjatë inspektimit zakonisht shtrojmë pyetje se a ka organizime sindikale”, ka shtuar Ibrahimi.

Sipas tij nëse organizimi sindikal pengohet nga menaxherët, atëherë ka mekanizma ligjor që të ndërhyjnë autoritetet kompetente.

Në sektorin privat llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona, me një pagë mesatare prej rreth 200 eurosh në muaj. Përveç pagës se ulët, në këtë sektor punëtorët punojnë me orar të stërzgjatur, pa kontrata pune, me vonesa të pagave, pa pagesë të kontributeve, në shumicën e rasteve me vetëm një ditë pushim në javë dhe pa mjetet e sigurisë në punë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG