Ndërlidhjet

Tërheqja e bllokut nuk e zgjidh ngërçin politik


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Në mungesë të një mekanizmi tjetër ligjor dhe kushtetues që të bëj një hap para, drejt zhbllokimit të krizës politike, vendimi i liderëve të partive të koalicionit pas zgjedhor, për heqje dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka qenë i logjikshëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Por, sipas tyre, ky vendim i cili e zgjidh pengesën procedurale kushtetuese për zgjedhjen e krye-parlamentarit të vendit, nuk është edhe hapi qenësor për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Ata thonë se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjeteve sociale, tregojnë se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të heq dorë nga formimi i qeverisë së re ose në të kundërtën, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, të jashtëzakonshme.

Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se edhe pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, është legjitime që Partia Demokratike e Kosovës, si parti me më së shumti vota të fituara në zgjedhje, tu bëj ftesë partnerëve tjerë në Kuvendin e Kosovës dhe të kërkoj që të bëjnë koalicion qeverisës me të.

Por, sipas tij mbetet tek partitë tjera, nëse dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë, bazuar në disponimin e deritashëm, vështirë se kjo mund të ndodhë.

“Është e natyrshme që zoti Thaçi (kryeministri në largim i Kosovës) dëshiron ta shfrytëzoj, tanimë edhe këtë procedurë pas themelimit të seancës konstituive, ndoshta për të bërë presion tek presidentja e Kosovës që emri i kryeministrit të ardhëm të Kosovës të jetë një formulë apo të kërkoj nga këto parti që të gjenden brenda një formule ku PDK do të ishte gjithsesi e përfshirë”, theksoi Doli.

Doli shtoi se në qoftë se partitë e tjera nuk zgjedhin që të jenë pjesë e një koalicioni ku PDK do të përfshihej dhe refuzojnë një kandidat për mandatar për formimin e qeverisë, që rrjedh nga PDK, atëherë, për herën e dytë do të jetë procedura e hapur e konkurrencës së liderëve politik të përfaqësuar në Kuvend.

Në rastin e fundit, presidentja e Kosovës do të mund të përdorë masën e diskrecionit dhe të shikoj nëse lideri i propozuar për mandatar nga një grup deputetësh të caktuar, ka apo mund të marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson se heqja dorë e liderëve të partive të koalicionit pas zgjedhor nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nuk do ta joshë PDK-n dhe liderin e saj Hashim Thaçi, që të pajtohen të mos jenë pjesë e qeverisë së re.

“Problemi është që PDK-së i intereson vetëm qeveria dhe kurrsesi kryetari i Kuvendit. Unë mendoj se, nëse presidentja e Kosovës - ose edhe me presion ndërkombëtar-nuk e thërret seancën konstituive –vazhdimin e saj – mendoj se PDK-ja, Thaçi, përmes Flora Brovinës, nuk do të thërrasin asnjëherë për vazhdim të kësaj seance. Situata do të mbetet e njëjtë, do të thotë, bllokadë totale e krizë institucionale”, ka theksuar Matoshi.

Edhe Doli shpreh mendimin se ekziston mundësia e bllokimit edhe më tej e konstituimit e tërësishëm të Kuvendit si dhe e qeverisë së re.

Sipas tij, ekziston mundësia që Partia Demokratike e Kosovës të refuzoj që të sjellë përpara Kuvendit të Kosovës një emër për kryetar të kuvendit, duke e ditur që ky është mjeti i fundit kushtetues dhe në këtë mënyrë, siç thotë ai, t’i bëj presion publikut, partive tjera politike, por edhe presidentes, që PDK të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës.

“Çka nëse PDK refuzon që të propozojnë një emër të caktuar për krye-parlamentar? Kjo i bie që seanca konstituive e Kuvendit do të mund të mos zhvillohet. Ne prapë do t’i rikthehemi një debati tjetër kushtetues i cili flet për të drejtën e propozimit, si një e drejtë e konsumueshme apo jo. Si dhe, a mund të shndërrohet e drejta e propozimit të PDK-së në një mjet të pafund, i cili pamundëson Kosovën që ta ketë karakterin e saj funksional si shtet”, ka shtuar ai.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike në vend kanë theksuar se në qoftë se ngërçi politik nuk gjen zgjidhjen e menjëhershme dhe vazhdon edhe për një ose 2 muaj në gjendjen e njëjtë, atëherë me marrëveshje politike të partive parlamentare do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG