Ndërlidhjet

Shqetësime për situatën në Ukrainë

  • RFE /RL

Donjeck...

Donjeck...

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se situata në lindje të Ukrainës është përkeqësuar dhe se të gjitha palët, përfshirë Rusinë, duhet t’i përmbahen marrëveshjes për armëpushim, që është arritur në Minsk, më 5 shtator.

Steinmeier i ka bërë këto komente në Astana të Kazakistanit, pasi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkaura kanë shprehur shqetësim për njoftimet se konvoje të mëdha trupash dhe automjetesh ushtarake janë duke lëvizur nëpër territorin që kontrollojnë rebelët pro-rusë.

“Për fat të keq, situata është përsëri serioze. Duhet t’iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në konflikt, ashtu si edhe Rusisë, që t’iu kthehen kushteve të protokollit të Minskut”, ka thënë Steinmeier në një konferencë për gazetarë në Astana.

Deklaratat e Perëndimit i bëjnë presion presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili mohon se Moska u ka dhënë mbështetje ushtarake separatistëve që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Konflikti ka vrarë mbi 4,000 njerëz dhe ka nisur qysh në muajin prill.

Të dielën janë raportuar granatime të rënda përreth qytetit Donjeck.

Më 8 nëntor, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka thënë se monitoruesit e saj kanë parë kolona ushtarake duke lëvizur në pjesën lindore të Ukrainës.

Ukraina ka thënë se nuk ka dyshime që këta trupa janë ruse.

Zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko, ka thënë se konflikti është intensifikuar javën e kaluar dhe se Kievi beson se Rusia mund t’i ndezë tensionet, për të siguruar pretekst për të dërguar të ashtuquajturat njësite paqeruajtëse ruse.

Në Uashington, zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Bernadette Meehan, ka thënë se Shtëpia e Bardhë “është shumë e shqetësuar” me intensifikimin e luftimeve dhe me raportet se separatistët janë duke lëvizur kolona të mëdha armësh dhe tankesh në vijën e frontit.

“Çdo përpjekje nga forcat separatiste për të kapur territore shtesë në lindje të Ukrainës, do të jetë shkelje e hapur e Marrëveshjes së Minskut”, ka thënë Meehan.

Ajo po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë armatosjen e rebelëve dhe të tërheqë të gjitha trupat dhe armët e saj nga Ukraina.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, ka thënë se raportet për konvojet e rebelëve “janë një zhvillim shumë shqetësues”.

Duke iu kërkuar të gjitha palëve që të respektojnë Marrëveshjen e Minskut dhe të kërkojnë një zgjidhje që respekton integritetin territorial të Ukrainës, Mogherini i ka bërë thirrje Rusisë “që të marrë plotësisht përgjegjësitë e saj në këtë drejtim”.

“Kjo do të thotë që të parandalohet çdo lëvizje e mëtejshme e ushtrisë apo armëve nga territori i saj në Ukrainë”, ka thënë Mogherini.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 8 nëntor se nuk ka informacione për praninë e trupave apo tankeve në lindje të Ukrainës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG