Ndërlidhjet

Jean Paul Jacque, eksperti që do të hetojë akuzat ndaj EULEX-it


Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federika Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federika Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka emëruar ekspertin e pavarur ndërkombëtar, i cili do të merret me vlerësimin e mandatit të EULEX-it.

Jean Paul Jacque, profesor me një eksperiencë 40 vjeçare, do të merret me akuzat për korrupsion të lartë brenda këtij misioni në Kosovë.

“Kam kërkuar nga zoti Jacque që brenda 4 muajve të më përpilojë një raport me rekomandimet e tij. Siç e kam theksuar tashmë, gjatë ditëve të mia të para në detyrë, se hulumtimet për akuza ndaj misionit të EULEX-it, janë në interes tonë”, ka thënë Mogherini, përmes një deklarate për media.

Jacque, i cili ka shërbyer si drejtor i Shërbimeve Juridike në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, ofron një ekspertizë unike, në këtë punë, ka shtuar Mogherini.

Ndryshe, Mogherini, para disa ditësh kishte njoftuar se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor për t'u marrë me dyshimet për korrupsion brenda EULEX-it në Kosovë.

Kjo ka ardhur, pas publikimit të shkrimeve në gazetën “Koha Ditore” në Prishtinë, për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive, e për të cilat EULEX ka pohuar se ka nisur procesin e hetimeve qysh në vitin 2013.

XS
SM
MD
LG