Ndërlidhjet

logo-print

Aplikimi i provimit ekstern, provimet e detyrueshme shtetërore për të punuar si mësimdhënës, pavarësisht diplomës universitare, pastaj provimet për drejtor shkollash, aplikimi i teksteve të Kembrixhit në arsimin fillor, gjobat për arsimtarët nëse vlerësimi i nxënësve nuk korrespondon me provimin përfundimtar, janë vetëm disa nga risitë në sferën e arsimit, që vazhdojnë të shkaktojnë reagime në opinion.

Ato vijnë para së gjithash pas propozimit të fundit që të diplomuarit para se të punësohen në arsim t'i nënshtrohen një provimi shtetëror, i cili do të jetë vendimtar nëse do të punojnë ose jo në arsim.

Borçe Davitkovski, dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Shkupit, thotë se aplikimi i provimeve të tilla është kundër-kushtetues dhe diskreditues për profesorët dhe të gjithë punonjësit e tjerë shkencorë, pasi njohuritë dhe mësimdhënia e tyre bëhet jo-relevante.

Ne kemi masterë ndërkombëtarë, profesorë eminentë që vijnë nga Evropa Perëndimore, vijnë nga Strasburgu dhe paramendoni ndonjë zyrtarë nga zyra për vlerësimin e njohurive t'i vlerësojë njohuritë e këtyre profesorëve. Mendoj se do të qeshen me ne. Mendoj se duhet hequr dorë nga këto ndryshime pasi thjeshtë janë në kundër-kushtetuese, kundërligjore, cenojnë autonominë e universiteteve. Ato duhet të refuzohen pasi ekzistojnë mekanizma për vlerësimin e njohurive“, thotë Davitkovski.

Osman Kadriu, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Fon, thotë se ndryshimet e shpeshta ligjore në sferën e arsimit dhe anashkalimi apo mos-konsultimi i profesorëve për futjen e risive shkakton çrregullime në arsim, pasi pikërisht këta profesor duhet të zbatojnë rregullat e reja.

Ai vlerëson te provimi plotësues për të diplomuarit para se të punësohen, jo vetëm që cenon autonominë e universiteteve, por krijon ndjenjën e mosbesimit të institucioneve ndaj tyre pasi është absurde që nga një provim i vetëm të varet e ardhmja e atij që ka studiuar disa vite me radhë në drejtimin përkatës.

Ai gjithashtu vlerëson se sistemi arsimor në Maqedoni nuk është në nivelin e duhur.

“Ne duhet të pranojmë realitetin pasi nuk kemi arsimim cilësor, një numër i madh i institucioneve shkencore janë shndërruar në fabrika për prodhimin e diplomave dhe jo për prodhimin e kuadrove. Ndërsa sa i përket propozimeve mendoj se ato do ishin devalvim dhe ofendim i rëndë për institucionin dhe pjesëmarrësit në të, për studentët dhe profesorët. Mendoj se ato risi nuk do të kalojnë apo edhe nëse kalojnë në Kuvend atëherë nëse paraqiten iniciativa para Gjykatës Kushtetuese, do të shfuqizohen“, thotë Kadriu.

Ish drejtuesit e Ministrisë së Arsimit ngrisin dyshime nëse të gjitha këto ndryshime kanë për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim, apo kontrollin edhe këtij segmenti nga pushteti aktual.

“Dyshoj se qëllimi i gjithë kësaj është vendosja e një kontrolli të plotë në shoqëri, që në rastin e arsimi të lartë do të jetë shumë e komplikuar dhe e dëmshme. Mendoj e shteti duhet të krijoj mundësi për krijimin e një ambienti të shkëlqyeshëm akademik dhe jo të përzihet në mënyrën që e ndërlikon edhe më shumë sistemin arsimor“, thotë Nenad Novkovski, ish ministër i Arsimit.

Nga Ministria e Arsimit thonë se ndryshimet nuk janë përfundimtar dhe se ato do tenë në debat publik dhe vetëm pasi konsultimeve të gjëra mund të miratohen apo edhe të pësojnë ndryshime.

“Këto reforma kanë për qëllim rritjen e kualitetit dhe avancimi e sistemin të arsimit të lartë në vend. Përzgjedhja e temave për do kandidat do të bëhet në mënyrë elektronike. Të dhënat do të jenë të shifruara, pra nuk do të dihet identiteti i kandidatit me qëllim që të shmangen dyshimet për intervenimet apo ndikime tjera tek komisioni që formohet për vlerësimin e njohurive të kandidatit“, thonë nga Ministria e Arsimit.

Ndryshime janë paraparë edhe tek studimet.

Pas përfundimit të vitit të dytë, studentët do ti nështrohen një provimi të përgjithshëm të njohurive dhe një tjetri pas përfundimit të studimeve.

Provimet e tilla janë kundërshtuar nga studentët, të cilët në disa raste edhe kanë protestuar, por nga Ministria e Arimit kanë thënë se edhe ndryshimet në këtë segment nuk do të miratohen pa konsultime gjithpërfshirëse.

XS
SM
MD
LG