Ndërlidhjet

Kur gazetari Alexandre Grant ka nisur të mbulojë krimin 25 vjet më parë, gangsterët që janë arratisur nga Bashkimi Sovjetik dhe kanë bredhur në lagjet rusishtfolëse të Nju Jorkut, kanë kërcënuar imigrantët me zhvatje.

Kjo skenë është zhdukur në masë të madhe dhe Grant thotë se e tradhton nostalgjia për atë kohë të vrazhdë.

Në një karrierë prej afro tri dekadash, ai ka mbuluar rritjen dhe rënien e gangsterëve të Nju Jorkut nga ish-Bashkimi Sovjetik - një kastë kriminale që zakonisht fshihej nën emrin “mafia ruse”.

Si ish-korrespondent i gazetës së imigrantëve “Novoye Russkoye Slovo”, Grant ka përdorur vrasësit dhe mashtruesit e dënuar si burime dhe ka bërë intervista me personat më famëkeq të krimit, si shtetasi ukrainas, Semion Mogilevich, i listuar nga FBI-ja si njëri nga dhjetë personat më të kërkuar.

Grant thotë se mjetet kryesore të gangsterëve në atë kohë kanë qenë armët, që kanë përdorur për sekuestrime të ndyra, ndërsa në ditët e sotme, lloji kryesor i dhunës në komunitetet rusishtfolëse është dhuna në familje ose rrahjet e të dehurve.

Por, nuk është vetëm krimi ai që ka ndryshuar. Në vitet 1990, komuniteti imigrant ka qëndruar praktikisht indiferent ndaj përpjekjeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit për të marrë dëshmitarë.

“Së pari dhe më kryesorja, ata kanë pasur frikë nga ndëshkimi fizik. Së dyti, ata janë frikësuar nga vetë bashkëpunimi. Sepse, bashkëpunimi me autoritetet në Bashkimin Sovjetik është konsideruar, nëse jo mëkat, si diçka e pahijshme. Imigrantët nuk e kanë ditur se bëhet fjalë për një sistem krejtësisht ndryshe të sundimit të ligjit. Por, tani situata është ndryshe”, thotë Grant.

Ai tregon se një pronar i një dyqani të bizhuterive i ka thënë se nëse një person shkon te ai dhe i kërkon para për ta mbrojtur, ai do ta thërriste policinë menjëherë.

I diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Moskës, Grant është miqëuar me gazetarë perëndimorë që punonin në Moskë, por këto lidhje kanë bërë që ai të përfundojë në burg.

Në mes të viteve 1960, Grant thotë se ka vizituar gazetarët që jetonin në një kompleks diplomatik në qendër të Moskës. Ai atje ka pasuar transkriptin e gjykimit të poetit sovjetik, Joseph Brodsky, te një reporter për një gazetë franceze.

Në atë që Grant e cilëson si “histori të çuditshme”, ai është arrestuar nga disa roje vullnetare të rrugëve, të njohur si “druzhiniki”, të cilët kanë thënë se Grant i ka ngjarë një hajduti që kërkonin. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, ai ka qenë në selinë e KGB-së famëkeqe, në sheshin Lyubyanka.

Grant është shpallur fajtor për përhapje të propagandës anti-sovjetike dhe për shkelje të ligjeve të monedhës, duke blerë sende me paratë që kishte siguruar nga diplomatët perëndimorë. Ai është dënuar me pesë vjet burgim.

Një vit e gjysmë pas lirimit, ai ka goditur dhe vrarë një këmbësor në Moskë. Për këtë vepër është dënuar me shtatë vjet heqje lirie.

Dymbëdhjetë vjetët në burgjet sovjetike, Grant thotë se kanë pasur ndikim në jetën e tij.

“E kosnideroj atë si një nga periudhat më pozitive të jetës sime, sepse në atë kohë unë jam pjekur, e kam kuptuar çfarë ëshë mirë dhe çfarë keq”, thotë Grant, tani 70 vjeç.

Koha e tij pas hekurave ka qenë e dobishme për karrierën e tij të ardhshme si gazetar i krimit. Ai thotë se ka marrë informacione nga shokët e burgut.

“Një gazetar që shkruan për këtë temë, ulet në gardh midis dy botëve. Është një akt i rrezikshëm balancues, sepse agjentët e FBI-së nga Departamenti rus më besonin, por edhe shkelësit e ligjit më besonin”, rrëfen Grant.

Ditët e errëta të mafias ruse mund të kenë kaluar, por Grant mbetet ende i zënë. Ai shkruan për disa publikime të imigrantëve, bën raporte ditore për radiot dhe udhëheq programe televizive për politikat amerikane.

Ai e viziton Moskën një ose dy herë në vit, por thotë se nuk ka dëshirë për t’u kthyer.

Shpirtërisht ëshë një vend krejtësisht i huaj për mua. Jam amerikanizuar shumë”, thotë Grant.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG