Ndërlidhjet

Maqedonia është e radhitur në mesin e vendeve me rezultate më të mira në nivel global në reformat për lehtësimin e zhvillimit të biznesit, theksohet në Raportin më ri i të Bankës Botërore "Të bërit biznes 2015", duke e vendosur vendin në pozitën e 30-të.

Por, të rinjtë në Maqedoni që përbëjnë mbi 50 përqindt të numrit të përgjithshëm të të papunëve hezitojnë të futen në sektorin e sipërmarrësisë përkatësisht të hapin biznesin e tyre privat.

Zoran Ilievski nga Koalicioni i të rinjve “Sega", thotë se është mungesa e informacioneve rreth ndërtimit të biznesit është arsyeja pse të rinjtë kanë frikë të futen në sektorin e sipërmarrësisë

“Ajo që në të ardhmen Qeveria duhet të fokusohet është jo vetëm pjesa që inkurajon të rinjtë të hapin biznesin e tyre privat, duke u siguruar kredi të volitshme për hapjen e bizneseve të vogla, por nevojitet dhe mbështetje profesionale gjatë ngritjes së biznesit, informacione rreth tregut të punës dhe njëherësh duke mos i lënë aspak hapësirë konkurrencës jo-lojale”, thekson Ilievski.

Nga ana tjetër Visar Ademi ekspert i ekonomisë thotë se ekzistojnë më shumë faktorë pse të rinjtë në Maqedoni nuk ndjehen të sigurt që bukën e gojës ta sigurojnë përmes ngritjes së ndonjë kompanie private, kundrejt mundësisë për të punuar në sektorin shtetëror, qoftë edhe për pagë më të ulët.

“Sipërmarrësit e rinj akoma më shumë ballafaqohen, me atë se si qeveria limiton zhvillimin e kompanive, ata shohin se kjo Qeveri me politikat e saja më tepër është e fokusuar në gjoba , është e fokusuar në dënimet që u shqiptohen bizneseve dhe jo subvencionimin e të njëjtave”, thekson Ademi.

Ai shton se problem në vete paraqet dhe mosdefinimi i qartë i rregullave në tregun e punës kundrejt kapitalit, mundit dhe dijes së investuar në sektorin privat me atë që fuqia e tregut të përcaktoj fitimin dhe jo mbështetja politike ndaj bizneseve të caktuara.

Megjithatë Visar Ademi thotë se kundrejt shumë pengesave për zhvillimin e biznesit, në Maqedoni ka hapësirë tregu për sipërmarrësit e rinj.

“Unë mendoj se ka hapësirë sepse duhet të ketë sipërmarrës të cilët i bazojnë shërbimet ose prodhimin e produkteve të tyre në inovacionet teknologjike dhe inovacionet e produkteve, pra biznese të cilat nuk kanë limit të tregut”, nënvizon Ademi.

Në mesin e 3 mijë e 500 të rinjve që kanë shfrytëzuar përparësitë që ofron Qeveria për hapjen e biznesit individual në Maqedoni është dhe Aleksandar Stefanovski 33 vjeçar i cili menaxhon një restorant të vogël në qendër të Shkupit, ku përgatitet ushqim tradicional meksikan.

Ai për zhvillimin e biznesit të tij nga agjencia për punësim në Maqedoni nga programi për sipërmarrësit e rinj ka siguruar rreth 3 mijë euro, mjete këto siç thekson, janë të pamjaftueshme për ngritjen e biznesit, megjithëse paraqesin një bazë të mirë për të filluar me punë.

“Për të arritur deri te mjetet e caktuara, paraprakisht nevojitet sigurimi i më shumë dokumenteve dhe ajo që është më e rëndësishmja e që duhet punuar nga ne personalisht është plani I punës. Edhe pse agjencia për punësim ofron ndihmë të caktuar gjatë hartimit të planit të punës, cdo biznesmen I ri duhet pasur vizion të qartë për atë që dëshiron ta ngris si biznes duke përpunuar çdo detaj të planit të punës që ka të bëjë me zhvillimin e biznesit si dhe kush janë target gupet”, thekson Stefanovski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë duke reklamuar praktikat e brendeve të njohura botëror synon të inkurajojë të gjithë të rinjtë në Maqedoni që kanë diplomuar në lëmi të ndryshme, të hapin një biznes privat, duke reklamuar praktikat e brendeve të njohura botërore.

Njëherësh dikasteri i ekonomisë për kompanitë e vogla të cilët do të menaxhohen nga sipërmarrësit e rinj siguron kredi të volitshme deri më 7 mijë euro, me vetëm 1 për qind normë interesi, si dhe grande për të pakthyeshme di në 3mijë euro për çdo punësim të të rinjve nën moshën 29 vjeçare.

XS
SM
MD
LG