Ndërlidhjet

logo-print

Kriza institucionale bllokon Këshillin Gjyqësor


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës që është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore, aktualisht është duke u përballur me pengesa pasi që nuk është i kompletuar me anëtarët e saj.

Ky këshill sipas Kushtetutës, do të duhej të kishte 13 anëtar, por ka funksionuar deri tash me 11 anëtar.Që nga 31 korriku i këtij viti, këshilli ka mbetur pa kuorum pasi 5 anëtareve,vendor dhe ndërkombëtar u ka kaluar mandati.

Si pasojë e mungesës së anëtarëve, shumë procese kanë mbetur pa përfunduar, thotë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci.Ai tha se anëtarët e këshillit që deri tash do të duhej të zgjidhen nga deputetët e Kuvendit, po paraqesin problem.

“Prej asaj date ( 31 korrik ) ne nuk mund të marrim kurrfarë vendimi mes tjerash edhe për emërimin e gjyqtarëve”, ka shpjeguar Peci.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar.Tetë anëtarë i emëron Kuvendi, dhe aktualisht janë duke punuar 3 anëtar që kanë mandat ende.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, tha se pavarësisht disa pengesave, tani është duke u punuar për intervistimin e kandidatëve për gjyqtarët e nivelit të gjykatave themelore, por nëse nuk ka konstituim te institucionet, problemet do të jenë evidente.

“Nëse vazhdon ky ngërç politik dhe mos konstituimi i parlamentit dhe i organeve të tjera me të vërtet neve ka për të na sjellë në situatë të pa lakmuar”, ka theksuar Peci.

Duke folur për muajin e ardhshëm, zotëri Enver Peci ka përmendur edhe çështjen e përfundimit të mandatit të disa gjyqtarëve dhe problemet që mund të paraqiten për emërimin e tyre të përhershëm.

“Është një situatë edhe më e pakëndshme që në muajin dhjetor disa gjyqtar që kanë qenë të emëruar me mandat të përkohshëm tri vjet, do të thotë me emërimin fillestar, ju përfundon mandati edhe përkundër asaj që komisionet tona për vlerësim e punës së tyre do ta përfundojnë procesin. Nuk kemi mundësi t'i propozojmë te presidentja për emërime të përhershme”, tha Peci.

Për mos funksionim ashtu siç do të duhej të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike, konsideron se një gjë e tillë paraqet barrierë për sistemin e drejtësisë.

“Për aq kohë sa nuk është i zgjidhur ngërçi politik dhe Kuvendit nuk i është kthyer funksionaliteti, mbetet e pamundur që edhe Këshilli Gjyqësor të ketë një normalitet procedural që të mund të vendos për çështje që i ka kompetencë kushtetuese”, tha Korenica.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku një herë në vit lidhur me sistemin Gjyqësor.

Gjyqësori i Kosovës përbëhet nga Gjykata Supreme, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje, pesë Gjykata të Qarkut, Gjykata Ekonomike, 26 Gjykata Komunale, 25 Gjykata Komunale për Kundërvajtje.

Prokurorët janë të organizuar në një Prokurori Publike të Kosovës, pesë Prokurori Publike të Qarkut, dhe shtatë Prokurori Publike Komunale.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG