Ndërlidhjet

Vlerësimi ndërkombëtar për arsim më 2015


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kosova nga mesi i vitit 2015 do t’i nënshtrohet për herë të parë një vlerësimi ndërkombëtar në arsim.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), të cilit edhe Kosova do t’i nënshtrohet është një vlerësim i jashtëm që matë njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Testet e hartuara synojnë të vlerësojnë se në çfarë mase nxënësit mund të aplikojnë njohuritë e tyre në rrethanat e jetës reale dhe se në çfarë mase ata mund të marrin pjesë në shoqëri.

Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përfaqësues tëshoqërisë civile dhe ekspertë të arsimit, në një debat të organizuar rreth performancës së nxënësve në shkollat fillore, kanë theksuar se me këtë sistem arsimor që aktualisht ka Kosova, nuk do të mund të ketë vlerësim të mirë në vitin 2015 kur edhe pritet të bëhet ky test.

Ata kanë kritikuar sistemin arsimor në Kosovë duke thënë se cilësia në arsim është mjaft e ulët.

Mustafë Kadriu, përfaqësues i Divizionit për standarde, vlerësim dhe monitorim në Ministrinë e Arsimit, ka theksuar se kanë bërë një vlerësim të ngjashëm më atë të testit PISA, por që rezultatet nuk kanë qenë të mira.

Megjithatë, ai tregon se janë duke i bërë përgatitjet që në vitin e ardhshëm të jenë pjesë e këtij testi ndërkombëtar.

“Është mjaft vështirë të matet dija, pasi që nuk ka një instrument të veçantë me të cilën thuhet se janë vendosur këto instrumente dhe këto janë rezultatet dhe të dihet saktë, por sigurisht që edhe vlerësimi i njohurive dhe dijes dhe nivelit të shkollimit janë instrumente të cilat mund të masin mjaft mirë nivelin e arritjeve, njohurive dhe shkathtësive të cilat zhvillohen në vende të ndryshme në sferën e arsimit”, thekson Kadriu.

Sistemi i arsimit në Kosovë edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Ankesat më të mëdha fillimisht ishin bërë për mungesë të objekteve shkollore, mirëpo thuhet se kjo problematikë është zbutur deri më tani, derisa problemi që vazhdon ta rëndojë këtë fushë është cilësia.

Ekspertja e arsimit, Besa Luzha ka theksuar se një problem tjetër që është hasur në aplikimin e kurrikulës së re, e cila është duke u pilotuar tani në shumë shkolla në Kosovë, ka qenë pikërisht vlerësimi.

“PISA për mua është një proces i rëndësishëm dhe i domosdoshëm vetëm në aspektin që bën një krahasim të Kosovës me vendet tjera,por nuk e zëvendëson procesin e vlerësimit që ne duhet të kemi si pjesë të përditshme të punës e që është e lidhur ngushtë me kurrikulën”, thekson ajo.

Pjesë e testitit vlerësues ndërkombëtar për arsim "PISA", janë 72 vende të botës dhe organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kosova ka aplikuar për tu përfshirë në grupin e shteteve që aplikojnë këtë test në vitin 2012.

Shteti i Kosovës dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kanë për obligim dhe detyrim të veprojnë sipas procedurave që i kërkon ky program .

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG