Ndërlidhjet

Posti i kryeministrit sfidon unitetin e bllokut


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Posti i kryeministrit po paraqitet si sfida e radhës për ruajtjen e unitetit të bllokut të partive të koalicionit pas zgjedhor në Kosovë. Ky bllok i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, së fundmi ishin pajtuar që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke hequr dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas Kushtetueses, posti i kryetarit të Kuvendit i përket partisë fituese të zgjedhjeve. Por, heqja dorë nga ky post e kishte ndryshuar në përmbajtje marrëveshjen fillestare mes këtyre partive politike, duke e lënë Lidhjen Demokratike të Kosovës pa asnjë post udhëheqës.

Tani, nga ky subjekt politik, pretendimet janë kthyer kah posti i kryeministrit, të cilin me marrëveshjen e 10 qershorit, partitë e koalicionit ia kishin besuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht liderit të saj, Ramush Haradinaj.

Këshilltari i parë i Haradinajt, Avni Arifi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka deklarime të zyrtarëve të LDK-së për këtë post, por deri më tani, sipas tij, marrëveshja nuk ka ndryshuar.

"Ne e kemi parë një pozicionin të ri të LDK-së që është manifestuar përmes prononcimeve publike të zyrtarëve të saj. Mund të them se nuk ka ndonjë marrëveshje të re dhe përderisa qëndron funksionale marrëveshja e vjetër ne i qëndrojmë besnik asaj marrëveshje dhe jemi të fokusuar në konstituimin e institucioneve", është shprehur Arifi.

Ndërkohë, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes prononcimeve apo edhe shkrimeve nëpër rrjetet sociale e kanë potencuar si domosdoshmëri rishikimin e marrëveshjes, pasi që koalicioni i gjerë, i njohur me emrin VLAN tani ka humbur një post udhëheqës.

Zyrtarë të kësaj partie politike, kanë apostrofuar pretendimin për postin e kryeministrit, të cilin ia atribuojnë liderit të LDK-së, Isa Mustafa.

Në lidhje me këto zhvillime përbrenda bllokut VLAN, analisti politik Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është shumë e dukshme që LDK-ja tani është ktyer kah pretendimi për të marrë nën drejtim qeverinë e ardhshme.

"Është e qartë se nga kërkesat e deputetëve të LDK-së del se kjo parti politike duhet të merr përgjegjësi aq sa ka deputet në Kuvend dhe aq sa ka fuqi politike brenda koalicionit. Pra, me fjalë tjera LDK po e hap pozicionin që ajo duhet të udhëheqë me qeverinë e Kosovës dhe jo me kryetarin e Kuvendit, siç ishte marrëveshja fillestare", ka thënë Zogaj.

LDK, sipas Petrit Zogajt po jep mesazhe se jo vetëm marrëveshja për ndarjen e posteve, por objekt shqyrtimi mund të jetë edhe marrëveshja e Bllokut LAN me Vetëvendosjen mbi parimet e qeverisjes së ardhshme.

Blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje kanë lidhur koalicion me qëllimin kryesor që t'i pamundësojnë Partisë Demokratike të Kosovës që të udhëheq me qeverinë e re, pavarësisht se ajo i kishte fituar zgjedhjet. Mirëpo, tani mbetet të shihet nëse çështja e ndarjes së posteve dhe sidomos posti i kryeministrit mund të tejkalohet dhe vazhdohet synimi për ruajtjen e koalicionit.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se nuk do të lejoj që ky bllok të udhëheqë me qeverinë dhe ka paralajmëruar se do të angazhohet vetëm për dy opsione, atë të qeverisë me PDK-në apo të organizimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG