Ndërlidhjet

logo-print

Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Ndryshe nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.

Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar, ku sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, ky ligj me të hyrë në fuqi ishte zbatuar në masë të madhe.

Por, probleme me shkeljen e ligjit po ka atëherë kur temperaturat po fillojnë të zbresin.

Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, (KADC) institutcion ky që merret me monitorimin e shkeljes së ligjit për kontrollin e duhanit, ka bërë një hulumtim rreth asaj se sa shkelet ky ligj në institutcione publike, si dhe hapësira të mbyllura në përgjithësi.

Arben Lila, zyrtarë në KADC, ka bërë të ditur se monitorimi është bërë në 7 qytete të Kosovës, me 20 monitorues. Sipas tij, ligji për kontrollin e duhanit po shkelet.

"KADC prej 13 deri më 23 tetor ka kryer monitormin ku janë bërë 648 observime , prej tyre në institutcione publike 154 derisa 494 observime në sektorin e gastronomisë dhe objekte private".

"Niveli i shkeljes së ligjit për kontrollin e duhanit, ku është e ndaluar me ligj është rreth 8 për qind në institutcione shëndetësore, universitete dhe kolegje 8.8 për qind , në shkolla të mesme 16.2 për qind, gjykata 20 për qind, objektet komunale 22.2 për qind, në qendra tregtare 3.6 për qind, derisa në klube nate shkelësit e ligjit arrijnë në 82.6 për qind", ka theksuar Lila.

Sipas zotit Lila ligji për kontrollin e duhanit shkelet jo gjatë tërë ditës, por në orë të caktuara.

"Shkeljet ndodhin dhe rriten me kohë. Prej orës 8:00 deri në 16:00 ka shkelës të ligjit më pak, derisa pas orës 16 kur mendojnë se edhe inspektorët nuk janë në teren , shkelet më shumë, derisa ekstremisht shkelet ligji i duhanit pas orës 20", ka shtuar Lila.

Ndërkaq, zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se ligji është miratuar dhe duhet respektuar. Skender Syla , udhëheqës i kësaj organizate në Kosovë jep hollësi të tjera.

"Rezultatet e këtij hulumtimi dëshmojnë qartë se ligji nuk është duke u zbatuar ashtu siç parashihet me ligj. Faktet shqetësuese janë se ligji shkelet në ambientet e mbyllura aty ku më së shumti frekuentohet nga të rinjtë, pra në bare, klube nate".

"Duke qenë se Kosova duhet ta mbështes zhvillimin e saj të gjithëmbarshëm ekonomik dhe shoqëror, në kapitalin njerëzor ku ky kapital përbëhet nga të rinjtë, është për të ardhur keq pasi që edhe pas 18 muajsh pas hyrjes në fuqi të ligjit për kontrollin e duhanit, shkeljet janë në masë të madhe dhe më së shumti janë të afektuar të rinjtë të cilët duhet të jenë e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë kosovare", ka shtuar Syla.

Derisa inspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku, ka thënë se deri më tani janë shqiptuar gjithsej pesë gjoba për gjithë Kosovën. Kjo pasi që gjykatat së fundmi kanë filluar të shqiptojnë gjoba për shkelësit, derisa një gjë e tillë më parë nuk ka ndodhur.

"Janë shqiptuar 5 gjoba në gjithë Kosovën,për subjektet që kanë qenë shkelës. Së fundmi kemi informata që kanë filluar të shqiptohen lëndët nga ana e gjykatës , dhe për ata që mendojnë se nuk do të ketë gjykata që do ti gjobisin, e kanë gabim, nuk do të na sfidojnë shkelësit e ligjit".

"Unë garantoj që inspektorati sanitar ka kapacitete të plota të forcave efektive për realizimin dhe zbatimin e këtij ligji. Por efikasiteti i punës tonë nuk qëndronvetëm në punën tone,por edhe tek akterët të tjerë e bëjnë të mundur rikapitulimin e tërësishëm", ka thënë Tershnjaku.

Sidoqoftë gjatë monitorimit të kaluar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim, ka dalë se shkelësit më të mëdhenj të ligjit kanë qenë gjykatat e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG