Ndërlidhjet

Blloku insiston: Nuk ka mosmarrëveshje


Liderët e partive të bllokut opozitar

Liderët e partive të bllokut opozitar

Liderët e partive të koalicionit paszgjedhor pasi kanë marrë vendim që të heqin dorë nga pretendimi për të pasur postin e kryetarit të Kuvendit, pritet që të premten të takohen dhe të dakordohen për hapat e mëtejmë të veprimeve.

Në partitë politike, Lidhjen Demokratike e Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se koalicioni paszgjedhor është i qëndrueshëm dhe se nuk ka mosmarrëveshje.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se pas vendimit të fundit nga blloku për të hequr dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, bënë që partnerët e koalicionit të ulen për të gjetur zgjidhje dhe të vendoset se si të shkohet tutje.

“Për të bërë marrëveshjen të re, ose për të prishur të vjetrën e për ta bërë të renë, janë kompetentë liderët. I kanë autorizimet sigurisht të partive tona dhe do të bëjmë këtë. Ne ketë këmbëngulje, këtë qëndrim, këto parime, ketë vullnet e kemi për këta muaj të terë dhe ne sigurisht nuk do ta vejmë në pikëpyetje dhe ne jemi të bindur që do ta bëjmë marrëveshjen e re”, tha Beqiri.

Ai ka shprehur bindjen se koalicioni i shumicës do ta formojë qeverinë dhe se sipas tij, të gjithë atë të cilët mund të pretendojnë se do të ketë prishje të këtij koalicion, do të gabohen.

Ai duke përmendur Partinë Demokratike të Kosovës, tha se LDK-së nuk i duhet një koalicion me këtë parti politike.

“Asnjë arsye, asnjë nevojë, e as vullnet e gatishmëri nuk kemi që të bisedojmë me PDK-në për atë çka ata po kërkojnë”, tha Beqiri.

Beqiri përsëriti se tashmë LDK-ja, ka qëndrimin e saj se posti i kryeministrit i takon vetëm këtij subjekti.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se koalicioni paszgjedhor është funksional dhe nuk mund të flitet për diçka tjetër.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka asnjë problem që mund ta rrezikojë funksionalitetin e bllokut.

“Sigurisht që ka tema që janë duke u diskutuar, por të gjithë jemi dakorduar që asnjëra prej këtyre temave dhe temave të ardhshme që do të vijnë, të cilat mund të jenë tema që duhet të diskutohen, nuk e rrezikojnë funksionalitetin e shumicës parlamentare ose marrëveshjen ndërmjet tri subjekteve në njërën anë, dhe Vetëvendosjes në anën tjetër”, tha Molliqaj.

Beqiri tha se rruga për formimin e institucioneve është e hapur dhe se sipas tij, më nuk duhet të ketë pengesa.

Ai u shpreh se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, duhet të veprojë duke ftuar PDK-në dhe kryesuesen e seancës zonjën Flora Borvina që të thërras deputetët për vazhdimin e seancës konstituive.

“Tash po shihet qartë se bllokuese për krijimin e institucioneve është PDK-ja dhe unë po e them se rrugëdalje tjetër nuk kanë veç ta thërrasin seancën”, u shpreh Beqiri.

Ky bllok, i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, së fundmi ishin pajtuar që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke hequr dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit.

Pretendimet e liderëve të koalicionit paszgjedhor që të marrin nën drejtim qeverinë e re, për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, janë një kthim në krizën që po zgjat tash e pesë muaj.

Ai ka bërë me dije se kriza dhe ngërçi politik nuk do të tejkalohen pa Partinë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve.

Kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, i ka ftuar partitë tjera të ulen dhe bisedojnë nën ndërmjetësimin e presidentes Atifete Jahjaga, deri në gjetjen e një zgjidhje kushtetuese.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG