Ndërlidhjet

Hetimet për korrupsion nxisin përplasje në FIFA

  • RFE /RL

Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani nga Katari, Igor Shuvalov nga Rusia dhe Sep Blatter nga FIFA, gjatë ceremonisë për zgjedhjen e organizatorëve të kampionateve botërore të futbollit 2018 dhe 2022 [ 2 dhjetor 2010]

Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani nga Katari, Igor Shuvalov nga Rusia dhe Sep Blatter nga FIFA, gjatë ceremonisë për zgjedhjen e organizatorëve të kampionateve botërore të futbollit 2018 dhe 2022 [ 2 dhjetor 2010]

Hetuesi që është marrë me pretendimet për korrupsion në procesin që i ka dhënë të drejtë Rusisë dhe Katarit për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit më 2018 dhe 2022, ka thënë se gjetjet e tij janë duke u shtrembëruar nga Federata Botërore e Futbollit, FIFA.

Hetuesi i FIFA-s, Michael Garcia, thotë se përmbledhja prej 42 faqesh nga hetimet dy vjeçare, e publikuar më 13 nëntor nga gjykatësi i FIFA-s, Joachim Eckert, përmban disa gabime dhe “interpretime të shtrembëruara të fakteve dhe konkludimeve”.

Raporti i plotë i Garcias prej 430 faqesh do të mbetet i pazbuluar për publikun.

Gjykatësi Eckert thotë se hetimet e Garcias e kanë shfajësuar Rusinë dhe Katarin nga dyshimet për blerje votash të udhëheqësve të FIFA-s dhe se gjetjet e zotit Garcia nuk ndikojnë në integritetin e votimeve të Dhjetorit të vitit 2010 nga komiteti ekzekutiv i FIFA-s.

Për Rusinë, gjykatësi Eckert thotë në përmbledhjen e tij se komiteti Rus ka bërë ofertën për të organizuar Botërorin 2018 me “një numër të kufizuar dokumentesh për shqyrtim”.

Por, sipas tij, rusët e kanë shpjeguar këtë kufizim “me faktin se kompjuterët prej nga janë dërguar dokumentet janë dhënë me qera dhe pastaj janë shkatërruar”.

Për Katarin, zoti Eckert thotë se “sipas raportit, sjellja e dy individëve në rolin e këshilltarëve për ofertën e Katarit ka ngritur shqetësime” dhe se angazhimi i tyre jashtë kornizave të komitetit zyrtar të Katarit ka pasqyruar vetëm “mungesë transparence nga ana e komitetit”.

Gjykatësi pranon se komiteti i Katarit “ka bërë disa pagesa të dyshimta”, të cilat nuk kanë qenë “të ndërlidhura me organizimin e Botërorit 2022”, por me procesin e "votimit të vitit 2011 për zgjedhjen e presidentit të FIFA-s".

Zoti Garcia ndërkaq, hetuesi i FIFA-s, është duke bërë thirrje që hetimi i tij i plotë të publikohet.

Një thirrje e këtillë ka nxitur përplasje me presidentin e FIFA-s, Sep Blatter, i cili ka ndihmuar në mbrojtjen e privatësisë së kolegëve të tij, të cilët kanë qenë të ndërlidhur me kërkimin e favoreve në këmbim të votave.

Garcia nga ana tjetër mund të përballet me pezullim nga funksioni që ka në FIFA nëse publikon detaje të këtij rasti dhe mund të shkarkohet fare nga ky institucion, gjatë takimit të 209 anëtarëve të FIFA-s më 29 maj të vitit të ardhshëm.

Pikërisht në këtë ditë, Blatter protet të fitojë mandatin e pestë si president i FIFA-s. (a.v.)

XS
SM
MD
LG