Ndërlidhjet

Projektet kapitale, në infrastrukturë rrugore


Autostradë në Kosovë
Autostradë në Kosovë

Buxheti për vitin 2015 parashihet të jetë 1 miliard e 576 milion euro, nga kjo vlerë 470 milion euro, apo 28 për qind e buxhetit janë paraparë të investohen në projektet kapitale.

Projekt ligji për buxhet është miratuar javën e kaluar nga qeveria në largim po ajo që vërehet është se shumica mjeteve do të shpenzohen për projektete filluara gjatë këtij viti, konkretisht në infrastrukturë rrugore.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se është bërë traditë që me investimet kapitale të financohet vetëm infrastruktura rrugore.

Naim Gashi profesor në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente duhet të zvogëlojnë dinamikën e investimeve për ndërtimin e rrugëve.

“Unë mendoj se dinamika e realizimit ta autostradës për Shkup edhe të ndërtimit të hekurudhave të reja dhe të rrugëve duhet të jetë pak më e zvogëluar. Por jo në dinamikën siç ka qenë në vitin e kaluar për shkak se vëllimi i mjeteve ka qenë jashtëzakonisht i lartë dhe i përballueshëm më plotë vështirësi nga ana e buxhetit të Kosovës”, tha Gashi.

Me buxhetin e planifikuar, sipas autoriteteve kompetente, do të vazhdohet me investime në infrastrukturën rrugore duke përfshirë autostradën që tashmë ka filluar Prishtinë- Hani i Elezit- Shkup, në ndërtimin e rrugëve Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë - Pejë dhe shumë rrugë rajonale

Gjithashtu planifikohet edhe fillimi i investimeve në rrjetin hekurudhor të vendit.

Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest” thotë se orientimi i investimeve kapitale në infrastrukturë rrugore po lënë pak hapësirë për investime tjera të rëndësishme ekonomike, siç janë sektori bujqësisë, ndërtimtarisë dhe sektorë të tjerë të cilët premtojnë krijimin e vendeve të reja të punës...

“Qeveritë e ardhshme duhet të kenë prioritet që investimet kapitale t’i orientojnë drejtë hapjes se vendeve të punës. Edhe infrastruktura është pozitive nuk po e hedhim poshtë krejt. Por problemi është se duhet të krijojnë disa prioritete. Kosova ka investuar në rrugë kohëve të fundit, nuk është dashur që të tani të fillojmë edhe një rrugë tjetër e ti lemë anash sektorë tjerë që hapin vende të reja të punës”, shprehet Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Naim Gashi pohon se ka shumë fusha potenciale ku mund të orientohen investimet e në rend të parë, sipas tij, janë të nevojshme ngritja e profesionale e kuadrove të reja të punës dhe forcimi i kapaciteteve prodhuese.

“Mendoj se projektet kapitale ka shumë fusha ku mund të investohen, sidomos kapacitetet e Kosovës jashtëzakonisht të mëdha në fushën e bujqësisë- agro përpunimit dhe dal nga dal këto projekte duhet të orientohen në fushën e bujqësisë, turizmit dhe në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, ka shtuar ai.

Ndryshe, për këtë vit projektet kapitale kanë qenë 531 milion euro, apo 33 për qind nga buxheti i përgjithshëm i këtij viti që ka qenë në vlerë në 1 miliard e 590 milionë euro .

XS
SM
MD
LG