Ndërlidhjet

Mustafa e Haradinaj para kompromisit të madh


Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj

Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj

Posti i kryeministrit vazhdon të cenoj unitetin dhe vazhdimin e marrëveshjes për koalicionin e gjerë të partive të bllokut pas zgjedhor. Ky koalicion i krijuar më 10 qershor, fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të cilit më pas iu bashkua edhe Vetëvendosje, kishte si synim formimin e institucioneve të reja qeverisëse duke e shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës në opozitë.

Mirëpo, marrëveshja e këtij koalicioni, sipas analistit Artan Muhaxhiri, i kishte edhe dy gabime strategjike. Aty liderët politik ishin marrë vesh që LDK të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse AAK atë të kryeministrit.

Por, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, posti i kryetarit të Kuvendit i takon PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve, kështu që nga pazari i ndarjes së pozitave tani ka mbetur vetëm posti i kryeministrit, të cilin po e synojnë njëkohësisht LDK-ja dhe AAK-ja.

Ky bllok tani duhet ta sqaroj përfundimisht se cili është kandidati i tyre për kryeministër - Ramush Haradinaj apo Isa Mustafa.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, Artan Muhaxhiri e sheh si mjaftë të vështirë ruajtjen e unitetit të këtij koalicioni, nëse pretendimet për udhëheqjen e qeverisë mbeten të hapura nga dy partitë partnere të koalicionit pas zgjedhor.

"Është shumë e vështirë që blloku t'u mbijeton ndryshimeve të mëdha sa i përket postit të kryeministrit. Bazuar në qëndrimet e zyrtarëve të LDK-së dhe AAK-së, mund të ketë një gjendje në të cilën, qoftë Isa Mustafa apo Ramush Haradinaj duhet të vijnë para kompromisit shumë të madh dhe njëri të heq dorë nga ky post", ka vlerësuar Muhaxhiri.

Pas takimit të fundit që zhvilloi blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka thënë mediave se ai mbetet i nominuari i koalicionit për kryeministrit. Sipas tij, LDK tani është dëmtuar me humbjen e pozitës së kryetarit të Kuvendit, por kjo nuk nënkupton që AAK duhet të lëshoj postin e kryeministrit.

"Nuk kemi biseduar deri në atë shkallë që të ndërrohemi njëri me tjetrin. Unë mendoj se marrëveshja e 10 qershorit e ka shpjeguar se ne ka bazohet, pra kam kërkuar që të vazhdojmë me këtë marrëveshje", ka thënë Haradinaj.

Luhatja eventuale e unitetit të bllokut pas zgjedhor do ta vinte në funksion menjëherë Partinë Demokratike të Kosovës. Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se në rast të thyerjes së bllokut pas zgjedhor, atëherë rolin e vet në formimit të institucioneve do ta merrte edhe PDK-ja.

"Këtu një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe bashkësia ndërkombëtare e cila është e interesuar që Kosova të ketë një qeveri stabile dhe nuk do të lejon që të bëhen eksperimente. Pra, nëse blloku mund ta bind bashkësinë ndërkombëtare, por edhe qytetarët e Kosovës se mund të krijoj qeveri stabile, atëherë do ta krijoj, por nëse jo atëherë rruga i hapet PDK-së për një përfshirje eventuale", ka thënë Muhaxhiri.

Sidoqoftë, tash për tash, blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka paralajmëruar mbajtjen e një takimi tjetër nga fillimi i javës së ardhshme. Ramush Haradinaj ka shprehur bindjen e tij se koalicioni do të mbijetoj dhe ecë përpara drejt formimit të qeverisë.

"Të gjithë brenda nesh nëpër subjekte politike kanë ide që dallojnë prej njëri tjetrit. Deri më tani i kemi përballuar me sukses dhe besoj që e kalojmë edhe është shumë reale që e kalojmë edhe këtë", ka deklaruar Haradinaj.

Formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit po zvarritet shumë dhe se këtë konstatim e kanë dhënë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe përfaqësues ndërkombëtar.

Pritjet janë që të paktën deri në dhjetor, Kuvendi të konstituohet dhe të procedoj tutje me miratimin e buxhetit të vitit 2015, pasi që në mungesë që buxhetit të miratuar, është paralajmëruar se vendin do ta përfshinte një krizë e rëndë financiare e buxhetore.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG