Ndërlidhjet

Sektori privat me paga më të ulëta se ai publik


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Paga mesatare në sektorin privat është më e ulët sesa ajo në sektorin publik në Kosovë. Derisa paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 441 euro, në sektorin privat nuk është më shumë se 228 euro.

Agon Nixha, hulumtues i avancuar në Institutin “Riinevst”, ka bërë të ditur se në një hulumtim të bërë me bizneset private ka dalë se paga në sektorin privat është mjaft e ulët.

“Paga e sektorit privat është shumë e ulët dhe madje më e ulët se në sektorin publik. Nga intervistat që i kemi pasur me biznese kemi ardhur në përfundim se paga ne sektorin privat është rreth 228 euro dhe kjo nuk ka ndryshuar përgjatë viteve. 52 për qind e bizneseve nuk kanë pasur ndryshime në paga përgjatë katër viteve”, ka treguar Nixha.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë gjithsej të punësuar 302.844 persona në sektorin publik dhe atë privat; 80.816 persona janë të punësuar në sektorin publik, ndërsa 222.028 punëtorë janë të punësuar në sektorin privat.

Përfaqësues të sindikatës së sektorit privat në Kosovë thonë se krahasuar me punën që punëtorët bëjnë në kompanitë ku ata punojnë pagat në sektorin privat janë shumë të ulëta

Sipas tyre, paga në sektorin privat është më e ulët se 228 euro.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, sindikatë kjo që funksionon në kuadër të BSPK-se, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se punëdhënësit në sektorin privat mund të bëjnë edhe ulje të pagave që aktualisht marrin punëtorët.

“Ka shenja që jo që do të shkojë tek ngritja e pagës, por nga ulja e pagës. Në momentin kur është dëgjuar që ne si sindikatë do të kërkojmë që nga janari që të paguhet shujta për punëtorin, shumë kompani kanë menduar që ta ulin pagën minimale në 170 euro dhe me 30 apo 40 euro të paguhet shujta”, tregon Azemi.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, kishte kërkuar rritje pagash deri në 35 për qind për punëtorët e sektorit privat.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e bizneseve vazhdimisht kanë theksuar se nuk kanë mundësi që të rrisin pagat për shkak të performancës jo të mirë që kanë viteve të fundit.

Sipas Jusuf Azemit punëtorët në sektorin publik mbeten të diskriminuar në paga karshi punëtorëve në sektorin publik.

“Paga mesatare në sektorin privat nuk e kalon 200 euro dhe kjo është diskriminim i madh. Në një farë forme është humbur edhe autoriteti i punëtorit të sektorit privat”, shton ai.

Përfaqësues të punëtorëve vazhdimisht kishin alarmuar se në sektorin privat në Kosovë punëtorëve iu shkelen të drejtat që iu siguron Ligji i punës. Shkeljet më të shumta punëtorëve në Kosovë thuhet se iu bëhen te mosrespektimi i kontratave të punës dhe stërzgjatja e orarit të punës.

Organi, i cili bën inspektimin e zbatimit të Ligjit është Inspektorati i punës. Edhe sipas raporteve të këtij Inspektoratit, është theksuar se ka mosrespektim të të drejtave të punëtorëve, konkretisht në sektorin e ndërtimtarisë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG