Ndërlidhjet

Toleranca ndërfetare e dukshme, por e luhatur


Kisha ortodokse dhe xhamia
Kisha ortodokse dhe xhamia

Toleranca ndërfetare është diçka që kultivohet me gjenerata të tëra në Kosovë dhe një traditë të tillë e vazhdon edhe më tej tek gjenerata e re, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë. Por, a e shohin sot të rinjtë religjionin si barrierë ndërmjet marrëdhënieve të tyre?

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, të rinjtë thonë se e respektojnë parimin që religjioni është diçka tejet personale për njerëzit dhe bindjet e tyre në këtë drejtim duhet pranuar ashtu si janë, gjë që rezulton me një tolerancë, por edhe bashkëjetesë të të rinjve me religjione të ndryshme në vend.

Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:09 0:00

Megjithatë, ka edhe të rinj që mendojnë se kohët e fundit, toleranca ndërfetare është zbehur, ndonëse, sipas tyre, jo në përmasa alarmuese dhe të rrezikshme.

Shkëlqim Kajtazaj, student në Fakultetin e shkencave kompjuterike në Prishtinë, thotë se toleranca ndërfetare ndërmjet të rinjve, por edhe në përgjithësi, është tejet e dukshme në Kosovë.

“Në vendin tonë është toleranca fetare, në të gjitha konfesionet. Ajo manifestohet me bashkëpunime të ndryshme. Unë, për shembull, si student, në lëmin time të studimeve, kam kolegë që i takojnë feve tjera, të krishterë, katolik ose ortodoks, dhe jashtëzakonisht e shohim njëri tjetrin të afërt edhe pse jemi të feve të ndryshme. Nuk ka diçka që na bën të dallohemi nga njëri tjetri."

"Është një lloj dallimi, ndoshta, vetëm në mënyrën e zbatimit të fesë. Por, te ne, si shqiptarë, në Kosovë, mendoj se ka tolerancë ndërfetare dhe shihet kjo. Është e dukshme kjo”.

Dilaj Nobërda, studente e mjekësisë veterinere, vlerëson se toleranca ndërfetare ndërmjet të rinjve ekziston. Megjithatë, sipas saj, reflektimi i tolerancës varet nga secili njeri veç e veç.

“Unë mendoj që ka tolerancë, por tash varet nga secili njeri. Personalisht, nuk më pengon asnjë fe. Nuk ka rëndësi feja apo raca. Ka rëndësi vetëm ajo se të gjithë jemi njerëz. Nëse do, mund të shoqërohesh edhe me njerëz të këqinj. Do të thotë varet se si e zgjedh shoqërinë tënde. Kështu që, feja nuk ka fare rëndësi”.

Vanesa Petrovci, studente në Fakultetin e arteve, por edhe në Fakultetin ekonomi, vlerëson se përkatësia religjioze është shumë personale dhe një gjë e tillë duhet të respektohet në atë mënyrë. Sipas saj, toleranca ndërfetare tek të rinjtë ekziston.

“Është çështje personale e gjithkujt, kështu që nuk do t’ më pengonte në shoqëri dhe në asgjë. Kam shoqëri me fe të ndryshme,por kjo nuk pengon. Ndonjëherë hapet tema e fesë, dhe pyesim ‘e bëni këtë ose atë’, por kjo nuk ndërhyn në shoqërinë tonë, të ndjehet dikush më i lartë ose diçka e tillë. Nuk kemi probleme, jemi tolerantë të gjithë”.

Leotrim Rekaliu, shpreh mendimin se të rinjtë nuk i kushtojnë shumë rëndësi religjioneve dhe sipas tij, mbase kjo është edhe shkak për tolerancë ndërfetare.

“Besoj se nuk e respektojnë të rinjtë fenë sa duhet, në përgjithësi. Nuk mund të them se për shkak të tolerancës, por është edhe një arsye më tepër për këtë tolerancë”.

Megjithatë, ka edhe të rinj, të cilët vlerësojnë se me gjithë tolerancën ndërfetare në Kosovë, e cila është e trashëguar dhe mjaft e shprehur, ka edhe tendenca që nuk shkojnë në këtë drejtim.

Kështu mendon edhe Drilon Marevci, student i Fakultetit ekonomik në Prishtinë.

“Ka tolerancë. Unë ka pasur rastin vet që kam pasur dhe kam ende shokë të feve tjera, por kjo nuk më prishë punë asgjë. Nuk na shkon mendja të flasim për fe. Por, ka shumë të rinj, që nëse është i fesë tjetër, atëherë thonë ‘nuk rrimë me të’ ose ‘është i krishterë’, por nuk e dinë për shembull se çfarë njeriu është. Tash, pse i takon një feje tjetër, nuk do të thotë se ai ka shoqëri të keqe me ty”.

Shkumbin Abazi, student i shkencave kompjuterike, vlerëson se tek të rinjtë ekziston toleranca ndërfetare, por sipas tij, mund të jetë shumë më e mirë se sa që është aktualisht.

“Te disa të rinj shprehet një lloj ekstremizmi, pa marrë parasysh se cilës fe i takojnë apo edhe u mungon feja, për shembull ateistët. Shumica janë mospëlqime, por ka raste kur kalojnë edhe në ekstremizëm”.

Arianit Haxha, student i sistemeve të informacionit në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë, vlerëson se toleranca ndërfetare në Kosovë është mjaft e shprehur, por megjithatë, sipas tij ekzistojnë edhe barrierat.

Ai thotë se kultura shqiptare tashmë ka një dinamikë të lartë dhe kjo ndikon se sa mendje hapur janë njerëzit ndaj gjërave të reja dhe të ndryshme.

”Mendimet, sa u përket gjërave t reja, pa marrë parasysh se janë për fenë apo për ndonjë aspekt tjetër të jetës, kanë bërë që personat e një shoqërie të bëhen shumë më mendje ngushtë se sa që kanë qenë".

"Pra, radikalizmi fetar ka bërë që ata të bëhen shumë më mendje ngushtë dhe toleranca ndërfetare,nuk kisha thënë se është në rrezik, por pak është ulur”.

Mendim të ngjashëm ka edhe Lirona Rexhepi, studente e sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Ajo thekson se nuk mund të bëhet fare fjalë për ndonjë urrejtje ndërfetare tek të rinjtë, por, sipas saj, toleranca në këtë drejtim tashmë është më e zbehtë.

“Unë mendoj që më herët ka pasur më shumë tolerancë se sa tash. Vërehet që te ne është një farë krize, jo vetëm në fe, por kjo, mbase pse jemi vend i ri dhe kanë filluar të diskutohen këto tema, të cilat më herët ndoshta nuk janë diskutuar."

"Kjo, mbase është një arsye që i shtynë të mendojnë njerëzit se a ka tolerancë, i shtyn të mendojnë se a duhet të ketë, më herët nuk e kemi pasur këtë mundësi."

"Mendoj se mundësitë e reja që na kanë ardhur në Kosovë, na kanë shtyrë ta zgjerojmë trurin në atë aspekt, madje edhe kah e keqja."

XS
SM
MD
LG