Ndërlidhjet

Netanyahu: Të mposhtet edhe IS-i, edhe Irani


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur mbështetje për luftën e Shteteve të Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS), por i ka paralajmëruar ato që të mos zbuten ndaj Iranit.

“Ne duam që ata të dy (IS-i dhe Irani) të humbasin. Gjëja e fundit që duam është që ndonjëri prej tyre të ketë armë të shkatërrimit në masë”, ka thënë Netanyahu në një intervistë për televizionin CBS.

Komentet e tij janë bërë pak kohë pasi Shteti Islamik ka thënë se i ka prerë kokën një tjetër pengu perëndimor – punëtorit amerikan të ndihmës, Peter Kassig.

“Shteti Islamik duhet të mposhtet dhe ai mund të mposhtet”, ka thënë Netanyahu.

Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është duke zhvilluar një fushatë të sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Fuqitë botërore po ashtu po bëjnë përpjekje të arrijnë një marrëveshje me Iranin, sipas së cilës, ky i fundit do të frenonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Irani, megjithatë, këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe nuk synon krijimin e armës atomike.

XS
SM
MD
LG