Ndërlidhjet

logo-print

Konstituimi i Kuvendit për të shpëtuar nga kolapsi buxhetor


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë politike në Kosovë po i bëjnë llogaritë përfundimtare para thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit me pikën e vetme, zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të këtij institucioni.

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, i gjithë spektri politik tashmë qoftë përmes deklaratave publike apo komunikatave me shkrim kanë kërkuar që seanca të thirret për këtë javë.

Konstituimi i Kuvendit, po shihet si i domosdoshëm për faktin se Kosova duhet të miratojë Buxhetin për vitin 2015, në mënyrë që të evitohet një krizë e rëndë financiare e buxhetore nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi vlerëson se konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë fillimit të përfundimit të krizës politike.

"Me zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimin e Kuvendit mund të themi që ngërçi të paktën do të tejkalohej, ngase me rrjedhjen e afateve ligjore partitë politike janë të detyruara që ose të bëjnë një zgjidhje ose të shkohet në zgjedhje", ka thënë Krasniqi.

Me disa përjashtime, shumica e subjekteve politike janë zotuar se do të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit.

Me konstituimin e këtij organi, çështja kryesore në agjendë do të ishte miratimi i buxhetit për vitin 2015.

Njëkohësisht, do të fillonte edhe rrjedhja e afatit ligjor gjatë të cilit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të nominonte mandatarin për formimin e qeverisë.

Presidentja mund të bëjë dy nominime brenda një muaji dhe nëse qeveria nuk zgjidhet, atëherë vendi do të shkonte në zgjedhje.

Partia Demokratike e Kosovës, pavarësisht se doli si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, nuk po arrin të mbledh afër vetës parti të gatshme për formimin e qeverisë.

Përderisa blloku pas zgjedhor i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje është futur në një krizë rreth postit të kryeministrit.

Këtë post po e synojnë si LDK-ja ashtu edhe AAK-ja.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka kumtuar të hënën qëndrimin e Kryesisë së kësaj partie se i nominuari për kryeministër duhet të jetë lideri i saj, Ramush Haradinaj.

Në të kundërtën, ai ka thënë se përgjegjësinë për prishjen e marrëveshjes së koalicionit do ta bartë ai subjekt që del më një propozim tjetër.

"Kryesia e AAK-së, rithekson bindjen e saj që ndryshimet rrënjësore në politikën dhe në shoqërinë kosovare, kërkojnë një lidership të ri në Qeverinë e Kosovës, me Ramush Haradinajn si Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës", ka deklaruar Isufi.

Lidhur me plasaritjet që po ndodhin në koalicionin pas zgjedhor, analisti Albert Krasniqi thotë se ato po nxjerrin në sheh një të vërtetë tjetër për parimet qeverisëse, nga ajo që kishin proklamuar partitë e bllokut, të njohur me emrin VLAN.

"Përplasjet e fundit ndërmjet AAK-së dhe LDK-së për postin e kryeministrit janë kundër frymës të cilën blloku VLAN e ka propaganduar nga fillimi kur është arritur marrëveshja mes tyre, e që ishte largimi i qeverisjes 'Thaçi 3', ndonëse edhe ajo marrëveshje nuk fliste për parime, por për ndarje të pozitave", ka theksuar Krasniqi.

Polarizimet mes partive të bllokut VLAN kanë nxjerrë në kombinim tashmë edhe formula tjera për formimin e qeverisë, duke mos e përjashtuar që brenda koalicionit të ardhshëm të ishte edhe PDK-ja.

Sidoqoftë, subjektet politike tash për tash kanë një pajtim në parim që të shkohet fillimisht me konstituimin e Kuvendit, kurse formimi i qeverisë të mbetet për fazën tjetër.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG