Ndërlidhjet

Revolucioni që rrëzoi komunizmin në Çekosllovaki


Çekët shënojnë sot 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, i cili ka përmbysur regjimin komunist.

Një çerek shekulli më parë, mijëra studentë të universiteteve janë mbledhur në Pragë, kryeqytetin e Çekosllovakisë së atëhershme, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Studentëve.

Pak nga ta kanë menduar se protesta e tyre, në dukje joarmiqësore, do të nxiste ngjarje të rëndësishme, që do t’i jepnin fund sundimit komunist dhjetë ditë më vonë.

Kjo protestë paqësore, më 17 nëntor, 1989, e cila ka përfunduar me dhunë brutale të policisë, ka çuar në protesta masive popullore, që mbaheshin pothuajse çdo ditë në qytetet çeke dhe sllovake.

Ato kanë kulmuar me emërimin e qeverisë së parë jokomuniste të vendit, në më shumë se katër dekada, dhe me zgjedhjen e Vaclav Havelit, një dramaturg dhe disident, në postin e presidentit.

Alexander Dubcek, komunisti reformator i Pranverës së Pragës, është zgjedhur kryetar i Parlamentit Federal të Çekosllovakisë. Qeveria komuniste, e diskredituar dhe e pafuqishme ndaj kërkesave të protestuesve, është dashur të pranojë humbjen dhe të japë dorëheqje.

Ky tranzicion i padhunshëm i pushtetit është quajtur Revolucion i Kadifenjtë për shkak të natyrës paqësore – asnjë jetë e vetme nuk është humbur gjatë gjithë procesit.

Revolucioni i Kadifenjë nuk do të ishte i mundur pa zhvillimet dramatike që kanë ndodhur në vendet e tjera të bllokut komunist. Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor, në Gjermaninë Lindore fqinje, u ka dhënë shumë çekosllovakëve shpresë për ndryshime të mundshme në vendin e tyre.

Por, pavarësisht valës së reformave që po pushtonin Evropën, ka pasur edhe frikë për përsëritjen e ngjarjeve dramatike të 1968-ës, kur në natën ndërmjet 20 dhe 21 gushtit, trupat e Paktit të Varshavës, të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik, kanë pushtuar Çekosllovakinë për të penguar liberalizimin politik. Ky zhvillim njihet si “Pranvera e Pragës”.

Sido që të jetë, kurdo që përmendet Revolucioni i Kadifenjtë, përmendet edhe Ndarja e Kadifenjtë – shpërbërja miqësore e Çekosllovakisë në dy shtete, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 1993.

Havel, që kishte shërbyer si president i Çekosllovakisë nga viti 1989 deri më 1993, është zgjedhur edhe presidenti i parë e Republikës Çeke, duke shërbyer dy mandate, nga viti 1993 deri më 2003.

Për të shënuar 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, busti i Havelit, udhëheqësit më të rëndësishëm intelektual dhe politik të ekpokës së Luftës së Ftohtë dhe pas saj, do të zbulohet të mërkurën në selinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Vetëm tri figura të tjera ndërkombëtare janë nderuar në këtë mënyrë: ish-kryeministri i Britanisë, Winston Churchill; burrështetasi hungarez, Lajos Kossuth, i cili ka shpallur Deklaratën e Pavarësisë së Hungarisë më 1849; dhe humanisti suedez, Raoul Wallenberg, i cili ka shpëtuar dhjetëra-mijëra henbrenj në Hungarinë e pushtuar nga nazistët.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG