Ndërlidhjet

Meucci: EULEX-i s’iu bën bisht obligimeve


Ilustrim

Ilustrim

Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se ka ndërmarrë tashmë disa veprime, në lidhje me akuzat për korrupsion kundër tij.

Javë më parë, është raportuar se pjesëtarë të këtij misioni kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive dhe se vetë EULEX-i ka nisur hetimet kundër tyre qysh në vitin 2013.

Në një opinion dërguar mediave, shefi i misionit evropian në Kosovë, Gabrielle Meucci, ka thënë se EULEX-i ka politikë të zero tolerancës ndaj korrupsionit.

“Pas informatave për korrupsion të mundshëm dhe duke qenë të vendosur t’i zbardhim të gjitha pohimet, shumë muaj më parë u formua një e ashtuquajtur task forcë për kryerjen e hetimeve gjyqësore, e përbërë nga një ekip i përzier i Kosovës dhe EULEX-it, i përbërë nga prokurorë dhe hetues policorë - shumë kohë para publikimit të këtyre pohimeve. Me fjalë të tjera, çështja është çuar përpara”, ka thënë Meucci.

Sipas tij, këto hetime janë komplekse dhe do të duhet kohë që të hetohen të gjitha pistat.

Meucci është zotuar se pas përfundimit të hetimeve, misioni që ai udhëheq “nuk do t’iu bëjë bisht obligimeve të tij për të ndjekur çfarëdo veprimesh gjyqësore, të cilat përcaktohen nga hetimet si të përshtatshme dhe të domosdoshme”.

“Të gjitha gjërat që i presim nga të tjerët, i zbatojmë edhe për vete”, ka thënë Meucci.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka emëruar një ekspert të pavarur ndërkombëtar, Jean Paul Jacque, për t’u marrë me akuzat për korrupsion kundër EULEX-it.

XS
SM
MD
LG