Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita të publikojë dëshmitë kundër pushtetit


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

“Bomba“ e paralajmëruar nga lideri i Lidhjes social-demokrate të opozitës, Zoran Zaev, assesi të “aktivizohet“, edhe përkundër thirrjes së pushtetit një ditë më parë, që kreu i LSDM-së, të dal sa më shpejt në opinion dhe të prezantoj nëse ka dëshmi për punë të paligjshme të qeverisë apo të ndonjë zyrtari të saj.

Në fakt, tani dhjetë ditë lideri i opozitës në takimet të ndryshme me simpatizantë të partisë së tij deklaron se posedon dëshmi të fuqishme që do ta “dridhin“ skenën politike por që do të kenë pasoja edhe ndaj raporteve ndëretnike në vend.

Por përveç paralajmërimeve, deri tani nuk ka bërë asnjë hap në zbardhjen e dëshmive, komprometuese për pushtetin.

Njohësit e çështjeve politike japin vlerësime të ndryshme lidhur me këto paralajmërime, por edhe ata i bëjnë thirrje Zaevit që sa më parë të dalë para opinionit dhe të prezantoj nëse vërtetë posedon dëshmi të tilla.

“Zoran Zaev thotë se me publikimin e këtyre dëshmive, qeveria do të binte për tre ditë. Me të vërtetë nuk mund të vlerësoj se ekziston çfarë do qoftë “bombe“ politike e cila do ta detyronte qeverinë të dorëhiqet për tre ditë. Por, të themi ne nuk e dimë se ekziston diçka e tillë, prandaj vlerësoj se ai sa më parë duhet të dalë dhe publikoj diçka të tillë dhe më pas të komentojnë pasi është e pakuptimtë që të paralajmërosh diçka të tillë dhe të mos e publikosh“, ka thënë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.

Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se është normale që opozita të korrigjoj punën e pushtetit dhe të publikoj qoftë edhe aferën më të vogël korruptive apo të ngjashme, por dëshmitë e tilla duhet publikuar sa më parë pavarësisht çmimit që mund të ketë për njërin apo grupimin tjetër politik.

“Vlerësoj se opozita ka bërë detyrën e saj në drejtim të zbardhjes së këtyre veprave kriminale nëse ekzistojnë, por gjithashtu vlerësoj se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe me kohë lidhur me dëshmitë, sepse në këtë mënyrë gjithçka mbetet në mjegull, gjithçka mbetet konfuzion dhe pushteti mund të shfrytëzoj këtë situatë ndoshta edhe për të ironizuar me opozitën“, ka thënë Tahiri, duke shtuar se mos publikimi i dëshmive do ta bënte jo serioze opozitën e cila edhe më parë kishte paralajmëruar afera të ngjashme, por që asnjëherë nuk i ka publikuar.

“Fakti që pushteti kërkoi me ngulm nga opozita që t’i publikoj këto dëshmi, flet gjithashtu se opozita e ka humbur efektin që mund të shkaktonte publikimi i këtyre dëshmive pa paralajmërim".

"Në këtë kuadër vlerëson se edhe nga aspekti i marrëdhënieve me opinionin opozita maqedonase ka dështuar sepse kjo është hera e dytë që opozita paralajmëron publikim të këtyre fakteve, por që në fund nuk ndodhë diçka spektakulare dhe opinioni publik nuk bindet shumë për kriminalitetin apo përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në vepra të rënda kriminale apo korruptive“, është shprehur Sefer Tahiri.

Vlladimir Bozhinovski, nga ana tjetër dyshon se pas paralajmërimit të opozitës për “bombë“ qëndron largimi i vëmendjes së opinionit nga kërkesat për kthimin e saj në Kuvend.

“Në momentin kur aktualizohet çështja për kthimin e deputetëve të opozitës në Kuvend, apo kur të përfundojnë afatet, opozita del më disa paralajmërime për gjoja dridhjen e skenës politike apo qeverinë me “bomba“, e kështu me radhë".

"Situatë të tillë kishin edhe para tre muajve kur ajo paralajmëroi protesta e forma tjera të shprehjes së pakënaqësisë kundër pushtetit të cilat nuk i pamë asnjëherë. Vlerësoj se as tani nuk do të ketë diçka serioze pasi gjithçka ka të bëj me kërkesat për kthimin e saj në Kuvend“, ka shtuar Bozhinovski.

Ndërkohë, në opinion qarkullojnë spekulime të ndryshme ndërsa vëmendja kryesisht është përqendruar në raportet ndëretnike ndërsa paralajmërimin e liderit të opozitës e ndërlidhin me rastin “Montra“ dhe posedimin eventualisht nga ana e tij të dëshmive për inskenimin e këtij rasti nga qarqe të caktuara e për të cilin kanë qenë në dijeni apo janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë.

Ndryshe për vrasjen e pesë maqedonasve në rastin që njihet si “Montra“ gjashtë shqiptarë janë dënuar me burgim të përjetshëm, por jo vetëm ata por edhe opinioni më i gjerë përfshirë edhe politikanët shqiptar në qeveri kanë ngritur dyshime mbi përfshirjen e shqiptarëve në këtë krim.

XS
SM
MD
LG