Ndërlidhjet

Problemet në riatdhesim dhe ri-integrim


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Procesi i riatdhesimit të kosovarëve nga vendet e ndryshme evropiane është në rritje, thonë përfaqësuesit e Programit për të Drejta Civile në Kosovë.

Deri sa është publikuar një raport që flet për riatdhesim, zyrtarët e kësaj organizate theksojnë se problem dhe shqetësim mbetet interesimi i qytetarëve për të migruar.

Kenan Tora nga Programit për të Drejta Civile në Kosovë, tha se sipas të dhënave që janë marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme që nga muaji janar e deri në muajin qershor, janë riatdhesuar 2,174 persona.

“Trendi i të riatdhesuarve është në rritje, por po ashtu është shqetësuese edhe trendi i personave ose qytetarëve që braktisin Kosovën është në rritje. Një nga rekomandimet e raportit është që të krijohen mekanizma më adekuatë që monitorojnë edhe gjendjen e njerëzve që përsëri e braktisin shtetin dhe shkojnë në një shtet tjetër, kryesisht të Evropës Perëndimore”, tha Tora.

Procesi i riatdhesimit është një proces që ka ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e integrimeve evropiane dhe veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave, procese këto që janë definuar si interes i shtetit të Kosovës.

Tora tha se Kosova ka miratuar ligjin dhe udhëzimet administrative dhe ka nënshkruar një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve për riatdhesim me shtetet përkatëse të Bashkimi Evropian, duke tentuar të sigurojë që pas riatdhesimit kësaj kategorie personave do t'u ofrohen kushte të përshtatshme për ri-integrim.

Sipas tij, edhe pse ekzistojnë ligje dhe marrëveshje për këtë çështje, ato nuk zbatohen.

“Kosova ka ndërmarrë disa hapa duke aprovuar edhe ligjin edhe aktet ligjore dytësore për sa i përket procesit të riatdhesimit por jo vetëm, por edhe sa i përket procesit të ri-integrimit për të siguruar një ri-integrim sa më të mirë të personave të riatdhesuar, mirëpo në implementim të ligjeve sikurse edhe në të gjitha ligjet e tjera ka ende ngecje”, tha Tora.

Ndryshe, në raportin e publikuar të mërkurën, thuhet se ka një mungesë të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe lokal të qeverisjes në fushën e ri-integrimit.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës drejtoresha e Departamentit për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar Fahrije Ternava – Sheremeti, thotë se për çështjen e ri-integrimit është duke u bërë maksimumi.

“Për integrimin e këtyre njerëzve është duke u bërë maksimalja. Ajo çka është maksimale për situatën në Kosovë”, tha shkurt zonja Sheremeti.

Në një përgjigje me shkrim, zonja Sheremeti ka thënë se “nuk kam informata nga cilat burime apo analiza ka dalë Programi për të Drejta Civile në Kosovë (CRP/K)me këto rekomandime e të cilat nuk e pasqyrojnë realitetin aktual të ri-integrimit në Kosovë”.

“Mund të konstatoj që rekomandimet e CRPK më shumë korrespondojnë me gjendjen e para 3 apo 4 viteve të këtij procesi, se sa ai që është sot. Vërehet mungesë e informacionit të gjendjes aktuale, për çka i ftojmë për bashkëpunim”, ka thënë zonja Sheremeti.

Ndryshe në raportin me titull “Procesi i riatdhesimit dhe sfidat e ri-integrimit", rekomandohet koordinim i shtuar në mes të zyrave komunale për Komunitete dhe Kthim me Departamentin për Ri-integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe komisionit Qendror për Ri-integrim.

Po ashtu, theksohet se personat e riatdhesuar hasin në probleme madhore lidhur me regjistrimin dhe verifikimin e pronave.

Me qëllim të lehtësimit të ri-integrimit të qytetarëve në shoqëri, rekomandohet ofrimi i ndihmës juridike dhe lehtësim në procedurat e regjistrimit të pronës në librat e kadastrës dhe në ndërtim të shtëpive për personat e riatdhesuar në nevojë dhe të cilët i plotësojnë kushtet ligjore.

Pavarësisht se barra më e madhe e procesit të ri-integrimit bie mbi nivelin lokal të qeverisjes, komunat e Kosovës ende kanë mungesë të kapaciteteve, qoftë njerëzore apo materiale, për të trajtuar këtë proces thuhet në raportin e Programit për të Drejta Civile në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG