Ndërlidhjet

Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, thonë se vetëm gjatë këtij viti, kjo agjenci ka ushtruar më shumë se 150 kallëzime penale, të dyshuara për veprime të mundshme të korrupsionit në institucionet qendrore dhe lokale të vendit.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se aktualisht kallëzime penale janë ushtruar ndaj zyrtarëve të dy ministrive të Qeverisë së Kosovës dhe sipas tij, rrallë ka mbetur ndonjë institucion, ndaj zyrtarëve të së cilës agjencia nuk ka ushtruar kallëzime penale.

“Në mesin e kallëzime penale kundër zyrtarëve të institucioneve të vendit, janë së paku dy ministri. Do të thotë po flas për nivelin qendror. Por, kemi proceduar më herët edhe raste të ndryshme që kanë të bëjnë me pushtetin lokal, me ndërmarrjet publike dhe me institucionet e pavarura”, tha Preteni

Ai ka shtuar se problematika e korrupsionit në vend mbetet e njëjtë, sepse, rastet kanë të bëjnë me korrupsion në nivelin e lartë dhe me vlera të larta.

Gjithashtu sipas tij, problem mjaft shqetësues mbetet siç e quajti ai ‘tenderomania”, ku rreth aktiviteteve tenderuese, pak zyrtarë, sipas tij, me një rrezikim shumë të vogël, fitojnë shumë dhe shpejt.

Por, sipas Pretenit, fakte më shqetësuese vazhdojnë të mbeten verdiktet gjyqësore me dënime, siç i quan ai, shumë qesharake ndaj zyrtarëve që kanë bërë shkelje të shumta ligjore, duke keqpërdorur prona të shumta, duke bërë ndërrimin e pronarëve dhe tjetërsimin e pronës.

Gjithashtu, sipas tij, tejet shqetësuese është edhe zvarritja e procedimit të rasteve nga prokuroria e shtetit. Lidhur me këtë, Preteni jep shembuj konkret.

“Është rasti i Ministrisë së Tregtisë, rast i cili po trajtohet nga Prokuroria speciale, por rastin e kemi dërguar ne qysh në vitin 2007 në prokurori. Më pas, flasim për verdiktin që është marrë në shkallën e parë, kundër ish-kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, zotit Nuhi Uka,. Këtë rast ne e kemi trajtuar shumë herët dhe e kemi përcjellë tek institucionet përkatëse. Do të thotë, i kanë përfunduar ose janë në procedurë raste të cilat ka 5 vjet që agjencia i ka proceduar”, theksoi Preteni.

Ai shtoi se për shkak të zvarritjes, lëndët po vjetërsohen dhe më pas prokurorët i përshkruajnë si të tilla.

Në anën tjetër, Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga hulumtimet e këtij instituti kanë dalë në pah politikat joadekuate të cilat, sipas tij, po i zbaton Këshilli Prokuroria i Kosovës.

Musliu thotë se vetëm 41 për qind e rasteve të vjetra që kanë qenë të regjistruara deri me 4 nëntor të vitit 2013, kanë arritur të zgjidhen nga prokurorët.

“Dhe ajo që është më shqetësuese, është fakti se prej këtyre 41 për qind e rasteve të zgjidhura, më shumë se gjysma e tyre janë hedhur poshtë apo janë pushuar rastet e korrupsionit. Këtu, duhet të identifikohet se ku qëndron problemi", u shpreh Musliu.

Zvarritja e procedimit të rasteve nga prokurorët, sipas Musliut, ka çuar te parashkrimi apo vjetërsimi i rasteve të dyshuara të korrupsionit.

Për rrjedhojë sipas tij, njerëzit, për të cilët ka pasur bazë se kanë qenë të korruptuar, në një mënyrë, siç thotë ai, janë amnistuar, për shkak se nuk ka vepruar sistemi i drejtësisë.

Por, ai shpreh dyshimin se ky fakt mund të jetë pasojë edhe i korrupsionit brenda vet këtij sistemi. Nisur nga kjo, siç ka thënë ai, duhet domosdo të ngrihet niveli i llogaridhënies, si në sistemi policor, prokurorial, po ashtu edhe në atë gjyqësor.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG