Ndërlidhjet

Koalicioni PDK-LDK, interes i bashkësisë ndërkombëtare


Marrëveshja në parim ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë i pritur, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ata thonë se ky koalicion ka qenë i imponuar qoftë nga bashkësia ndërkombëtare, qoftë për shkak të zhvillimeve të fundit që ndodhën brenda bllokut të krijuar më parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se qeveria e re që pritet të formohet nga PDK dhe LDK, pas marrëveshjes ndërmjet tyre, siguron stabilitet të numrave.

Sipas tij, ky është elementi kryesor që i intereson bashkësisë ndërkombëtare, duke i pasur parasysh projektet gjeostrategjike që i ka për Kosovën, siç janë vazhdimi bisedimeve me Serbinë dhe krijimi i Gjykatës speciale për krime lufte.

“Pra, në fakt, ky koalicion më shumë i konvenon bashkësisë ndërkombëtare se sa qytetarëve të Kosovës, sepse edhe nga përvoja e viteve 2007- 2010, e dimë se një koalicion i tillë, me dy parti kaq të fuqishme, nuk mund të jetë shumë efektiv dhe mund të ketë një qarte. Pra, mundet që realisht t’i kemi dy qeveri brenda një qeverie të vetme”, thekson Muhaxhiri.

Analisti Muhaxhiri, vlerëson se ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e ngërçit politik, ka qenë e domosdoshme, sepse në të kundërtën bllokada do të zgjaste edhe për disa muaj.

Ndryshe, Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë se marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është një lajm i mirë në kuptim të nevojës së Kosovës për të dalë nga kriza politike dhe të krijoj institucionet.

Por, sipas tij, braktisja e bllokut nga LDK-ja nxjerrë në dukje, siç thotë ai, që LDK është partner joserioz në kuptim të arritjes së ndonjë qëllimi politik.

Megjithatë, Doli thotë se në qoftë se LDK do të jetë në partneritet të barabartë me PDK-në, në këtë marrëveshje politike, atëherë kësaj të fundit do t’i zvogëlohet fushëveprimi në krahasim me modelet e kaluara qeverisëse.

“Në këtë kontekst, unë besoj që do të jetë detyrim i LDK-së që të arrij ta balancoj mënyrën se si PDK ka qeverisur gjatë kësaj kohe, qoftë edhe nëpërmjet pozicionit të kryeministrit. Besoj që LDK do të duhej të merrte përsipër rolin e saj që të pengoj edhe më tutje mënyrën e qeverisjes që kishte ekzistuar deri më tani në Kosovë”, shprehet Doli.

Megjithëkëtë, marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, sipas një komunikate të kësaj të fundit, precizon se LDK do ta japë mandatarin për kryeministër.

Por, megjithatë, në komunikatë nuk precizohet se a do të jetë lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, mandatar për kryeministër, apo dikush tjetër nga kjo parti.

Analisti Muhaxhiri, vlerëson se megjithatë, lideri i LDK-së do të jetë kryeministër, për shkak se në një mënyrë, sipas tij, ky post edhe i është imponuar..

“Eventualisht, vetëm nëse ai vullnetarisht heq dorë nga posti, atëherë do të jetë dikush tjetër. Por, sipas kësaj marrëveshje, unë mendoj se do të jetë zoti Isa Mustafa, sepse, përndryshe, pozita e tij në LDK, do të jetë e papërballueshme, pra, ai do të duhet të japë dorëheqje”, thotë Muhaxhiri.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, pas gjithë zhvillimeve politike që i karakterizuan muajt e fundit, është një ndryshim drastik në skenën politike të vendit.

XS
SM
MD
LG