Ndërlidhjet

Çfarë nëse Shteti Islamik do të kishte fluturake të pavërejtshme? Çfarë nëse Umar al-Shishani do t’i merrte Shtëpitë e Parlamentit të Britanisë? Çfarë do të ndodhte në qoftë se Shteti Islamik do ta aneksonte Arabinë Saudite dhe ta pushtonte Mekën?

Derisa gjëra të tilla nuk kanë shumë gjasa të ndodhin, militantët e Shtetit Islamik dhe mbështetësit e tyre, kanë përdorur programin Photoshop dhe imagjinatën e tyre për të fantazuar se çfarë do të mund të ndodhte nëse ata do të arrinin t’i bënin këto gjëra -- rezultatet e këtyre fotografive ishin, në një mënyrë, dëfryese.

Këto fotografi, që janë të shpërndara në masë të madhe në rrjetet sociale të Shtetit Islamik, shpesh paraqesin reagim ndaj një ngjarjeje specifike ose ndonjë lajmi, por disa tjera janë më simbolike dhe paraqesin një fantazi të çuditshme.

Fantazia e IS-it për aeroplanët luftarak

Raportimet se militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën pronësi të tyre një numër të aeroplanëve luftarakë nga Siria kur ata morën nën kontroll Bazën Ajrore të Sirisë në shtator, çuan deri te krijimi i një numri të madh të fotografive të bëra me Photoshop, që tregonin se si forcat ajrore të IS-it do të dukeshin.

Përmes kësaj fotografie, është trilluar një version se si do të mund të dukej një pilot i Shtetit Islamik.

Duke qëndruar para një aeroplani me shenjën e Shtetit Islamik, koka e pilotit është plotësisht e mbuluar më një shall bardhë e zi, dhe duket sikur po ia turbullon shikimin (gjë joadekuate për një pilot).

Kjo është një tjetër fotografi i famshme, që tregon një aeroplan imagjinar të Shtetit Islamik. Fluturakja është e lyer në të zeza dhe në krahët e saj është gdhendur logoja e IS-it me të bardha.​

Këto fotografi imagjinare të pilotëve dhe aeroplanëve luftarakë janë gjëja më e afërt e Shtetit Islamik për të bërë një forcë ajrore përnjëmend. Megjithatë: edhe pse Shteti Islamik arriti t’i marrë disa aeroplanë nga Siria, grupi militant nuk ka përvojë dhe nuk di si të luftojë me to.

Sulmimi i SHBA-ve dhe Perëndimit

Militantët e Shtetit Islamik shpesh krijojnë fotografi që tregojnë ushtarët e tyre duke e bërë ëndrrën e ultra-ekstremistëve të vërtetë: pushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose cilindo shtet tjetër perëndimor, dhe djegin ndërtesat e simbolet e demokracisë së këtyre vendeve.

Në këto dy fotografi të shpërndara nga militantët rusisht-folës të Shtetit Islamik, luftëtarët shihen duke sulmuar dy pika kyçe të Perëndimit: Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve dhe Shtëpitë e Parlamentit të Britanisë në Londër.

Fotografia e Shtëpisë së Bardhë tregon tre flamuj jashtëzakonisht të mëdhenj të Shtetit Islamik mbi kulmin e dhomës qendrore. Disa militantë të Shtetit Islamik shihen praën, derisa Shtëpisë së Bardhë i është vënë flaka.

​Në fotografinë e dytë, komandanti ushtarak i Shtetit Islamik Umar al-Shishani si duket është duke ikur pasi i ka vënë zjarrin Shtëpive të Parlamentit të Britanisë.

Kjo ngjarje ndodh gjatë mbrëmjes: në ndërkohë dy militantë me mjekra shihen teksa kënaqen me këtë pamje, nga një zonë në të cilën ende është ditë. Aty shkruan në rusisht: “Së shpejti!! Në të gjitha qytetet e botës”.

Bota e fantazive të Shtetit Islamik

Disa nga fotografitë e bëra nga Shteti Islamik, janë thjesht fantastike.

Në këtë foto, Shteti Islamik është i simbolizuar përmes një kali të bardhë, i cili hidhet i padëmtuar nga nofullat e egra, të asaj që duket të jetë një tufë ujqish.

Ujqit sipas gjitha gjasave pasqyrojnë armiqtë e Shtetit Islamik, si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Pushtimi i botës myslimane

Arabia Saudite është një temë e shpeshtë në rrjetet sociale të Shtetit Islamik, sidomos pasi Gjiri Persik iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik në muajin shtator.

Në internet qarkulloi një fotografi e bërë me Photoshop, ku shihet se si Shteti Islamik kishte pushtuar Mekën në Arabi Saudite dhe kishte vendosur një flamur grandioz të zi përsipër Qabesë, në qendër të xhamisë Al-Haram, që njihet si vendi më i shenjtë mysliman.

Gjithashtu, ka pasur raportime se militantët e Shtetit Islamik kanë thënë se do ta shkatërrojnë Qabenë dhe “do të vrasin ata që adhurojnë gurët”.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG