Ndërlidhjet

Maqedoni: Heqja dorë nga afatet, veprim demagogjik


Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti

Qëndrimi më i ri i Bashkimit Demokratik për Integrim se për çështje madhore nuk duhet të ekzistojnë afate, nga njohësit e çështjeve politike komentohet se heqja dorë nga kushtëzimet e përfolura disa herë se në rast të moszgjidhjes së kontestit të emrit për gjashtë muaj, ajo do të shqyrtoj pozicionin e saj në qeveri.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike dhe ish diplomat thotë se nuk është hera e parë që zyrtarët e BDI-së, përfshirë edhe kreun e saj, Ali Ahmeti, që japin deklarata kushtëzuese, e që më pas tërhiqen nga ato me arsyetime nga më të ndryshmet.

Demiri thotë se është një qëndrim demagogjik nëpërmjet të cilit kërkon BDI-ja dëshiron të blej kohë dhe të instaloj amshueshmërinë e saj në politikë.

“Kjo në vete ngërthen atë se pa marr parasysh rezultatet e punës sonë, ne duhet të jemi aty dhe ne jemi ata që do ta zgjidhin çështjen apo problemin. Por, problemi është pak më pragmatik".

"Për çfarë flet BDI-ja dhe cilat janë ato objektiva të cilat dëshiron ti realizoj? Ashtu sikur që ishin në luftë të pa definuar se a bëhet luftë për ndarje territoresh apo për ta mbrojtur Maqedoninë, ashtu janë edhe sot. Pra, BDI-ja nuk dinë apo nuk dëshiron ti definoj dhe me këtë e mbanë peng politikën“, thotë Demiri.

Ne fakt, deklarata se BDI-ja nuk preferon dhënien e afateve, kësaj radhe u dha nga zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi. Ai tha se pengesat për integrimin euroatlantik të Maqedonisë dihen, por se nuk do të ishte mirë për procesin që kjo çështje të ndërlikohet edhe me afate tjera.

“Temat që janë të ndjeshme dhe që kanë një refleksion rajonal, evropian por edhe më gjerë, nuk mund të kushtëzohen me një, pesë, apo gjashtë muaj. Ne në mënyrë vazhdueshme jemi përcaktuar dhe kemi punuar për këtë çështje. Ne të gjithë i dimë publikisht pengesat drejt anëtarësimit në NATO, por nuk do t'i shërbente zgjidhjes së kësaj çështjeje nëse ne e kushtëzojmë vetëm me muaj”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.

Por, njohësi i çështjeve politike, Alajdin Demiri thotë se të kota janë deklarimet e tilla të BDI-së pasi për shkak të kompleksitetit, çështja e emrit nuk do të zgjidhet dhe këtë e dinë si pala greke ashtu edhe ajo maqedonase, por jo edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë.

“Qasja e VMRO-DPMNE-së, ose e qeverisë dhe e Greqisë është që kjo çështje mos të zgjidhet dhe ne këtë qasje BDI-ja sillet sikur pa kokë, ajo mendon se ka qasje, por në të vërtetë jo vetëm që nuk ka qasje, por edhe nuk e kupton kontestin i vili nuk ka kurrfarë zgjidhje".

"Pra, ajo është sikur një mysafir rasti që mendoj se mund të kontribuoje, por në esencë nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje“, thekson Demiri.

Ndryshe, kushti për zgjidhjen e çështjes së emrit ishte dhënë nga vet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para, por edhe pas zgjedhjeve parlamentare të prillit.

Ai në muajin maj kishte deklaruar se në rast se deri në vjeshtë Maqedonia nuk merr ftesën për anëtarësim në NATO apo datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendi do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme që nënkuptonte largimin e saj nga qeveria, por tani heqjen dorë nga ky kushtëzim e arsyetojnë me çështje madhore të integrimin që sipas saj nuk duhet cenuar me afate konkrete.

XS
SM
MD
LG